Policia belge aksion të befasishëm kundër mafies shqiptare, 30 persona të arrestuar

schedule12:13 - 15 Shkurt, 2022

schedule 12:13 - 15 Shkurt, 2022

Policia e Brukselit ka finalizuar një operacion kundër mafies shqiptare në orët e para të mëngjesit duke bastisur më shumë se 30 shtëpi. Në pranga janë vënë 30 persona të dyshuar si të përfshirë në trafikun e drogës dhe armëve.

Në lidhje me këtë aksion janë shpallur në kërkim 100 persona në 7 vende të ndryshme të Europës.

Operacioni është finalizuar në orën 04:00 të mëngjesit në disa zona në Bruksel ku u sekuestruan armë, kokainë, para, ora luksoze, diamante dhe automjete.

Në po të njëjtën orë aksioni ka nisur edhe në disa vende të tjera të Europës si Spanjë, Itali, Gjermani, Kroaci dhe Holandë.

Mediat belge shkruajnë se kjo nuk është hera e parë që mafia shqiptare në vendin e tyre merr një goditje, ndaj dyshimet janë se operacioni i sotëm ka lidhje me atë të finalizuar në muajin tetor të vitit të kaluar në disa qytete të ndryshme.

Portet e Antwerpen dhe Roterdam luajnë një rol kyç në tregtinë e drogës në Evropë. Kokaina hyn në këto porte nga Amerika e Jugut. Është kryesisht mafia shqiptare ajo që ka një rol të rëndësishëm në nxjerrjen e kokainës dhe shpërndarjen e saj.

Mediat shkruajnë për një konflikt mes dy klaneve në 8 vende të ndryshme që kanë bazën në Shqipëri dhe Belgjikë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!