Policë të lënduar, granata dore e molotov, të shtëna. Çfarë ndodhi në Veri të Kosovës

schedule14:43 - 13 Tetor, 2021

schedule 14:43 - 13 Tetor, 2021

Aksioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës në katër rajone të vendit, u përcoll me tensione në veri. Nga atje raportohet për sulme ndaj policëve e gazetarëve, gjuajtje me gurë e molotov, të shtëna armësh, thyerje e diegie të veturave dhe bllokim të rrugëve.

Policia e Kosovës nisi sot një aksion kundër kontrabandës në disa qytete, përfshirë pjesen veriore të vendit. Aty hasi edhe në probleme. Situata u tensionua shpejt. Si pasojë e rezistimit të serbëve, duke gjuajtur me sende e duke sulmuar me grushte policët, disa pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Mitrovicës.

Policia njoftoi për gjashtë zyrtarë policorë të lënduar, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb. Gjithashtu, një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar. Gjatë këtij aksioni janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje. Gazetari i T7, Çlirimtar Morina, raporton se në drejtim të tyre janë hedhur tre bomba dore.

Se janë përdorur mjete të tilla ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi drejtuar mediave. Sipas policisë, qytetarët atje janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore.

Momenti kur policët sulmohen nga qytetarët serbë, para barnatores në veri.

Në Zveçan u panë edhe gëzhoja plumbash.

Rruga pranë “Komova kafana” ishte e bllokuar, ndërsa raportohet se Policia e Kosovës u largua prej aty në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar.

Aksioni rezultoi me arrestimin e tetë personave. Bëhet fjalë për gjashtë shqiptar të arrestuar, një serb dhe një boshnjak.

“R. K. (1957) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Pejës, A. K. (1979) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Prishtinës, M.N. (1990) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, I.Z. (1982) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, A.D. (1995) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicë Jugu, M. Dz.(1958) mashkull kosovar/boshnjak nga rajoni i Mitrovicës Veri, I. H. (1975) mashkull kosovar/shqiptarë nga rajoni i Mitrovicës Veri, M. L. (1978) mashkull kosovar/serbe nga rajoni i Mitrovicës Veri”, njoftoi policia.

Policia ka njoftuar se si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve policore dhe të Doganës së Kosovës, janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.

” Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”, tha policia.

Pamje të mallrave të sekuestruara:

Gjatë aksionit në Mitrovicën e veriut, nga tensionimi i situatës, dëme materiale iu shkaktuan disa automjeteve civile të parkuara aty pranë.

Pas tensioneve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, apeloi për qetësi, teksa edhe njoftoi për përfundimin e aksionit.

“Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensaive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, u shpreh Kurti ndër të tjera.

Më pas, policia njoftoi se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar, “përderisa veprimet e mëtejme policore janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë”, njoftoi policia. /Gazeta Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!