Polemika dhe dyshime pas ndeshjeve të Kupës

schedule14:15 - 7 Shkurt, 2019

schedule 14:15 - 7 Shkurt, 2019

Polemika dhe dyshime pas ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Trajneri i Flamurtarit, Daja, akuzon arbitrin, ndërsa Kamza luajti me formacion të plotë ndaj Vllaznisë, ndryshe nga takimi me Partizanin.

Kësaj skuadre i ndodh shpesh, madje jo vetëm në Superligë. Flamurtari pati pretendime të mëdha ndaj gjykimit të Laver Allës në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, duel që e fitoi, por pas të cilit u eleminua.

Vlonjatët u acaruan shumë për një penallti që menduan se duhej t’u jepej në minutën e tretë shtesë, por arbitri nuk sinjalizoi. Pamjet filmike të bëjnë të besosh se ishte me të vërtetë ndërhyrje e gabuar në zonë ndaj lojtarit vendas. Gjithsesi, trajneri Daja, nuk u mor shumë me këtë rast, por me arbitrimin në përgjithësi.

Nuk mbetën pas futbollistët e tij dhe ja reagimi në Instagram i Emiljano Mustës.

“Fluturo, fluturo Laver Alla”, – ishte postimi it tij, ndërsa pranë mesazhit ishte një tufë me dollarë. Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, nuk e hodhi poshtë mundësinë që për vlonjatët mund të ishte dhënë penallti.

Gjithsesi, polemikat dhe dyshimet nuk ishin vetëm për sfidën e Vlorës. Kamza u kualifikua ndaj Vllaznisë me fitoren 1-0, duke luajtur me formacion të plotë, vetëm pak ditë pasi shumë lojtar bojkotuan ndeshjen e kampionatit ndaj Partizanit.

Kjo ndeshje u sulmua ashpër nga emri i njohur i futbollit shkodran dhe shqiptar, Edi Martini, në emisionin “Presing”, në Abc News. Të shtunën, Kamza u mund 0-1 nga Partizani, ndërsa lojtarët u shprehën se bojkotuan për shkak të vonesës së rrogave, me një rrogë që thuhet se u ndaj para takimit ndaj Vllaznisë./abcnews.al