Manchester United turpëroi Romën në gjysmëfinalen e parë të Europa League. “Djajtë e Kuq” triumfuan 6-2 në “Old Trafford” dhe çështja e kualifikimit në finalen e madhe duket çështje e mbyllur.
Gjithsesi, tek United nuk ka eufori, por vetëm përqendrim maksimal për takimin e kthimit. Trajneri Ole Gunnar Solskjaer dhe mesfushori Paul Pogba analizuan suksesin tenistik ndaj verdhekuqve italianë.
SOLSKJAER – “Arritëm një fitore të madhe, por nuk besoj se e kemi përfunduar punën tonë. Roma ka cilësi të mira, ai doli të shënonte dy gola me aksione. Në pjesën e dytë ishim të shkëlqyer.
E di që në sulm kam shumë lojtarë krijues. Ata krijojnë gjithmonë momente të bukura, por nuk duhet të harrojmë që ekuilibri i skuadrës është kryesori.
Ju jap një shembull: Pogba më pëlqeu shumë në atë rol, kishte liri të madhe për të vepruar. Golat e pësuar? Kryem gabime fëminore, nuk mund të pësojmë gola të tilla në këto nivele”.
POGBA – “Rezultat pozitiv, por akoma nuk është mbyllur çështja e kualifikimit. Duhet të ruajmë përqendrimin, le të luajmë me të njëjtin mentalitet edhe në Romë. Në pjesën e parë pësuam dy gola nga gabimet tona.
Në pjesën e dytë biseduam me njëri-tjetrin: vendosëm t’i bënim gjërat siç duhet dhe të luanim thjeshtë. Trajneri na foli, ishim shumë të motivuar për të shënuar sa më shumë gola”. /abcnews.al