Juventusi tenton prej kohësh të rikthejë Paul Pogba në Torino, aty ku shkëlqeu në katër sezonet e kaluara si bardhezi (2012-2016). Mesfushori francez s’e ka fshehur kurrë lidhjen e veçantë me kampionët e Italisë dhe do të rikthehej me vrap tani që në stol është ulur Andrea Pirlo, ish-shoku i skuadrës.
Manchester United nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e kampionit të botës, por pranon me një kusht. Mediat italiane raportojnë se klubi anglez kërkon përfshirjen e Paulo Dybala në operacionin e kalimit të Pogba në Serie A.
Një propozim që tundon “Zonjën e Vjetër”, që nuk po arrin akordin përfundimtar për rinovimin e kontratës me fantazistin argjentinas. Të dy lojtarët vlerësohen rreth 100 milion euro dhe ditët e ardhshme mund të sjellin shkëmbimin e bujshëm mes dy klubeve të njohura. /abcnews.al