Nuk mund të kishte mesazh më të fortë për rivalët. Tadej Pogaçar e tregoi edhe një herë se i përket një tjetër kategorie të çiklizmit, e triumfi I tij në etapën e gjashtë të Turit të Francës ishte ndoshta “nekrologjia” për rivalitetin e këtij viti në garën më të madhe të botës.
Jo vetëm arriti t’i merrte më shumë se 2 minuta rivalit kryesor, Jonas Vingegard, por këtë e bëri në një mënyrë krejt të vetën, duke vendosur edhe një rekord të madh.
Kampioni në fuqi i Turit, sulmoi 5 kilometra përpara majës ndoshta më të famshme në botë në këtë sport, Kol dy Turmaje, në Pirenejt franceze, më shumë se 2 mijë metra mbi nivelin e detit, dhe fitoi menjëherë 30” ndaj danezit.
I ndihmuar fillimisht nga shoku i skuadrës, meksikani Del Toro, slloveni e vazhdoi I vetëm kryeveprën e tij, e madje theu rekordin legjendar në Turmaje.
Ngjitja prej mbi 17 kilometrash dhe me pjerrësi në ngjitje mesatarisht 7.3 për qind, u përshkua në 43’10”, apo rreth 2 minutë më shpejt sesa ish-rekordi.
As një Merks, një Ankëtil, një Ino apo Indurain nuk kanë mundur që ta bëjnë.
Pogaçar vazhdoi I vetëm drejt finishit, ndonëse duheshin edhe gati 40 kilometra, duke I lënë rivalët edhe më prapa.
Kampioni ishte I shkëlqyer edhe në zbritje nga Turmaje, edhe në ngjitjen e fundit në Gavarnië-Zhedrë.
Pas më shumë se 186 kilometrash itinerar, çiklisti 27-vjeçar arriti një epërsi tepër të madhe ndaj danezit Vingegard, me 2’38”, së cilës në klasifikimin e përgjithshëm I shtohen edhe 4 sekonda të tjera.
Pogaçar veshi Fanelën e Verdhë, të cilën vështirë se do ta heqë deri në përfundim të Turit.
Pritet që ai të barazojë rekordin e fitoreve në garën më të madhe të planetit, me 5 të tilla, ashtu si Ankëtil, Merks, Ino dhe Indurain.



