PSG-ja është njëra nga skuadrat që në përbërjen e saj ka më shumë yje se çdo skuadër tjetër. Shumë trajnerë mund ta kenë ëndërruar një skuadër të tillë me Messin, Neymar, Mbappe, Donnarumma, Ramos, Hakimi, Wijnaldum, Di Maria janë vetëm disa nga yjet e PSG-së.
Në merkaton e verës drejtuesit e parizienëve u treguan të papërmbajtshëm teksa transferuan në Paris, Messin, Ramos, Donnarumma, Hakimin dhe Wijnaldum.
Shumë personazhe të futbollit mund të mendojnë se të arrish rezultate të larta me këto futbollistë në përbërje është shumë e lehtë, por për trajnerin e PSG-së, Mauricio Pochettino është një sfidë, teksa do i duhet të menaxhojë yje të klasit botëror dhe të ketë një frymë pozitive brenda skuadrës për të mos shkaktuar edhe hatërmbejtje mes tyre, Veçanërisht të dijë të menaxhojë situatën mes 3 sulmuesve më të mirë të momentit, Messin, Mbappe dhe Neymar.
“Messi, Mbappe dhe Neymar, të tre mund të jenë mbretër, por tek ne janë në një vend tre mbretër, dhe duhet të theksoj se ata kanë nevoja të ndryshme. Mbappes i duhet hapësirë për të vrapuar, Neymar kërkon të mbajë kontrollin e topit, ndërsa Messi ka një stil tjetër loje nga këta të dy. Është shumë e vështirë ti bashkërendosh të tre. Ne po punojmë të gjejmë mënyrën e duhur për të luajtuar që ata të ndihen komod, por nga ana tjetër skuadra duhet të kuptojë filozofinë e lojës. Për ne si staf është diçka shumë e bukur të punojmë me ta. Të gjithë presin nga PSG titullin e Champions League, por nuk duhet të harrojmë që kundërshtarët e europës i kemi vërtet të fortë”, theksoi tekniku i PSG-së. /f.a/abcnews.al