Një infermier Italian tregoi për Euronews se vendi është në një presion aq të madh, sa mjekët janë detyruar t’u japin përparësi pacientëve që kanë më shumë mundësi për të jetuar.
Mauro D’Ambrosio, i cili punon në spitalin Fatebenefratelli në Milano, tha se pacientët ndodh të qëndrojnë më shumë se 15 ditë në terapi intensive, ndërkohë që mesatarja është 5-6 ditë. Kjo gjë sjell një problem të madh duke bllokuar shtratet në spitalë.
Ai tha:
“Nëse e kuptojmë që një pacient është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk ka më gjasa për të mbijetuar, jemi të detyruar që atë shtrat t’ia japim dikujt që mund të jetojë. Kjo është një zgjedhje që nuk pranohet lehtë nga ana etike, por nga ana mjekësore të jep mundësinë që të kemi më shumë njerëz që jetojnë.”
Në vijim, shtoi:
“Raporti mes pacientëve dhe infermierëve është 1:12-14, ndërkohë që duhet të jetë 1:6.”
Një tjetër infermiere, që punon në një spital në Lombardi, tha se “situata është më e keqe nga sa portretizohet në media”.
“Ne jemi me qindra raste në spitalin tonë. Gjysma e stafit i është përkushtuar pacientëve me Covid-19. Situata është e tmerrshme. Anestezistët duhet të zgjedhin se kujt do t’i vendosin makinën e ventilimit dhe kë do të lënë të vdesë.”
Një mjek 60-vjeçar tha për La Reublica:
“Vijnë 60-80 pacientë në ditë. Nëse kjo valë nuk bie, sistemi shëndetësor është në kolaps.
Pacientëve iu pompohet oksigjen drejt e në mushkëri përmes një tubi. Mjekët thonë se në rastet kur pacientët nuk kanë më nivele të mjaftueshme oksigjeni në organizëm, janë të detyruar të heqin tubin dhe ta vendosin te një pacient që ka më shumë gjasa të shpëtojë. Nëse një person midis moshës 80-95 vjeçare ka probleme me frymëmarrjen, me gjasë nuk do të jetojë. Nëse nuk i punojnë më shumë se tre organe, do të thotë se do të vdesë 100%.
“Është një fjali e tmerrshme për t’u thënë. Por për fat të keq nuk jemi në kushtet për të pritur mrekulli. Është realiteti.”
Mjekët thonë se kur pacientët janë në orët e fundit të jetës, komunikojnë me të afërmit përmes një video-telefonate, pasi nuk lejohen vizitat. Dr. Cortellaro, drejtor i dhomës së urgjencës së spitalit Borromeo, tha:
“Një grua ishte gati të ndërronte jetë. Më kërkoi që të fliste me mbesën. E telefonova. Folën dhe më pas ndërroi jetë. Kam shumë numra në telefon. I quaj lista e lamtumirës.”
Në Itali, numri i të infektuarve është 15,113, ndërsa 1,016 kanë humbur jetën./abcnews.al