Po vjen “Flurona”, cilat janë shenjat e kërcënimit të ri dhe çfarë duhet të dimë?

schedule10:41 - 5 Janar, 2022

schedule 10:41 - 5 Janar, 2022

Pas variantit të ri Omicron, bota po përballet me një tjetër rrezik, kombinimi i gripit me koronavirusin të njohur me emrin “Flurona”. Deri më tani, dhjetëra raste janë identifikuar në Izrael, Spanjë, Brazil, Kroaci dhe Shtetet e Bashkuara, ku shkencëtarët e bëjnë të qartë se ky nuk është një lloj i ri Covid-i, shkruan “Protothema“.

Pacientët me “Flurona” janë të infektuar me koronavirus dhe grip në të njëjtën kohë. Në Izrael, një grua shtatzënë e pavaksinuar u infektua me koronavirus dhe virusin e gripit. Kjo është diçka për të cilën kishte paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Thirrja e shkencëtarëve është që ata që nuk janë vaksinuar për gripin të vrapojnë të vaksinohen sepse është e rëndësishme të shmanget infektimi i njëkohshëm. “Infeksionet e dyfishta janë të rralla, por ato nuk konsiderohen të veçanta”, tha Berd Salzberger, president i Shoqatës Gjermane për Sëmundjet Infektive.

“Raste të tilla mund të ndodhin në një moment”, tha ai për agjencinë gjermane të lajmeve. “Një infeksion i dyfishtë është ndoshta pak më i keq se një infeksion me një patogjen të vetëm. Infeksionet e dyfishta të gripit dhe koronavirusit janë të rralla, sepse të dy viruset ndodhin rrallë në të njëjtën kohë, pasi qytetarët mbajnë maska ​​​​dhe kanë kaluar pothuajse dy dimra pa grip”, shtoi ai. Në Izrael, megjithatë janë të shqetësuar për “Flurona”-n.  Sipas gazetës izraelite “The Times of Israel”, ekspertët janë të shqetësuar për rastet e gripit që shfaqen në të njëjtën kohë me koronavirusin.

“Vitin e kaluar masat higjienike ndoshta kanë bërë që të mos ketë pothuajse asnjë rast gripi. Rritja e incidencës së të dy infeksioneve mund t’i shtyjë spitalet në kufijtë e tyre. Edhe pse infeksionet shoqëruese kanë qenë mjaft të lehta deri më tani” tha eksperti. Në Spanjë, zyrtarët shëndetësorë kanë zbuluar se Izraeli nuk është vendi i parë që zbulon “Flurona”-n. Shumë spitale spanjolle kanë raportuar raste të infeksioneve të frymëmarrjes për disa javë përpara se Izraeli t’i pagëzonte me emrin “Flurona”.

Gazeta spanjolle “El Pais” raporton se një ekip studiuesish në spitalin San Carlos në Madrid, kanë regjistruar një rast me “Flurona” që në prillin e kaluar, që do të thotë se ky kombinim qarkullon në Spanjë në tetë muajt e fundit. Në Kroaci, Brazil dhe SHBA, ku janë raportuar raste të“ Flurona”, autoritetet shëndetësore po i kushtojnë vëmendje kësaj çështjeje, edhe pse siç theksojnë nuk ka arsye për panik./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!