Këngëtarja britanike Jessie J ka ndarë me ndjekësit lajmin se rezultatet e analizave pas operacionit për heqjen e njërit prej gjinjve tregojnë se kanceri nuk është përhapur. Artistja tha se është “shumë e lumtur”, ndërsa rrëfeu se ka shpërthyer në lot gëzimi pas marrjes së lajmit.
Në qershor, Jessie J bëri publike diagnozën e hershme me kancer të gjirit dhe iu nënshtrua një mastektomie. Në një postim në rrjete sociale, ajo falënderoi 14 milionë ndjekësit e saj për lutjet, dashurinë, urimet dhe energjinë pozitive. Këngëtarja 37-vjeçare ka qenë shumë e hapur për përvojën e saj, duke ndarë detaje nga procesi i trajtimit dhe duke marrë mbështetje të madhe nga publiku.
Të hënën, ajo publikoi një video të birit të saj të vogël, të regjistruar natën para operacionit, ku ai dëgjohet duke thënë: “Mami do të bëhet mirë.” Mbi videon, Jessie J shkroi: “Dhe… jam mirë”, duke konfirmuar se rezultatet nuk treguan përhapje të sëmundjes.
Këngëtarja, e njohur për hitet “Nobody’s Perfect” dhe “Who You Are”, është në prag të publikimit të albumit të saj të ri i pari pas disa vitesh mungesë. Ndërkohë, kënga e saj “Price Tag” e vitit 2011 ka njohur një rikthim në popullaritet pas një vale videosh virale në rrjetet sociale.
Postimi i saj është mbushur me komente pozitive, përfshirë urime nga figura të njohura si prezantuesja Rochelle Humes dhe këngëtarja Paloma Faith. Gratë që janë përballur vetë me kancerin e gjirit gjithashtu reaguan, duke ndarë mbështetjen e tyre.
Sipas të dhënave nga organizata Cancer Research UK, mbi 56.000 gra diagnostikohen çdo vit me kancer gjiri në Mbretërinë e Bashkuar.
Jessie J theksoi se ndonëse lajmi është i mirë, “procesi i shërimit vazhdon” dhe se është në pritje të një operacioni rikonstruktiv, duke shtuar me humor se dëshiron që “këta kushërinj të duken më shumë si motra”, duke iu referuar gjinjve të saj pas mastektomisë.
Në fund të postimit, ajo shkroi me ironi: “Për momentin, do e ndryshoj emrin tim në The LopJess Monster”, duke ruajtur shpirtin pozitiv pavarësisht sfidave./abcnews.al

