Po përgjonte politikanët, pranga spiunit rus në Norvegji

schedule23:23 - 24 Shtator, 2018

schedule 23:23 - 24 Shtator, 2018

Autoritetet në Norvegji kanë arrestuar një person të dyshuar si agjent i shërbimeve sekrete ruse, që po përgjonte politikanët vendas. Ndërsa Moska ka kërkuar lirimin e tij, ngjarja pritet të thellojë tensionet mes Rusisë dhe vendit nordik në prag të stërvitjes madhore të NATO-s.

Arrestimi i një shtetasi rus në Norvegji nën dyshimin se po kryente aktivitete spiunazhi ka ngritur tensionet mes Oslos dhe Moskës. Personi në fjalë u arrestua ditën e premte, nën akuzën se po përgjonte një takim ndërkombëtar politik që po zhvillohej në Parlamentin norvegjez. Me të konstatuar aktivitetet e dyshimta, autoritetet ndërprenë punimet, izoluan dhomën ku po mbahej mbledhja dhe fikën pajisjet teknologjike që ndodheshin në ndërtesë. Një zyrtar vendas ka deklaruar se incidentin është marrë shumë seriozisht dhe po trajtohet nga shërbimet sekrete. Por të hënën Ministria e Jashtme ruse ka thirrur për sqarim ambasadorin norvegjez në Moskë, të cilit i është dorëzuar edhe një notë proteste. Pala ruse ka deklaruar se personi i ndaluar është një pjesëtar i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij. Eventi  që po zhvillohej kishte të bënte me procesin e digjitalizimit të dokumentave parlamentare, një seminar që ishte organizuar nga Bashkimi Europian dhe ku merrnin pjesë 79 përfaqësues nga 34 vende. Sido që të jetë, incidenti ka gjasa të përshkallësojë tensionet mes Norvegjisë dhe Rusisë, në një kohë kur NATO po përgatitet për stërvitjen më të madhe ushtarake që prej Luftës së Ftohtë. Norvegjia është anëtare e NATO-s dhe ka një kufi tokësor me Rusinë, arsye për të cilën është etiketuar shpesh herë si “sytë dhe veshët” e Aleancës.