“Po na jep leksione ky ne?”, Dash Shehi përplaset me Shalsin. Spaho: Të dyfishohen pagat

schedule11:34 - 11 Nëntor, 2021

schedule 11:34 - 11 Nëntor, 2021

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduart Shalsi është përplasur sërish me deputetin Dashamir Shehi në mbledhjen e sotme të këtij komisioni ku pritet të votohet në parim projektbuxheti i vitit 2022.  Teksa Shalsi ndërhyri në replikë me deputetin demokrat Edmond Spaho pati një reagim nga ana e Shehit i cili e quajti leksion deklaratën e Shalsit duke e ironizuar atë. Spaho deklaroi se duhet bërë një hap sa i përket pagave dhe pensioneve që harkun 4 deri në 6 viteve në vazhdim të ketë një 2-fishim të vlerës së tyre. Spaho u shpreh se kjo do të eliminonte korrupsionin në nivelin e mesëm.

Pjesë nga replikat

Edmond Spaho: Po të vazhdojmë me rregullin fiskal, mbetemi pa investime. Të bisedojmë bashkarisht se çfarë mund të bëhet. Kur ka kushte të vështira, është në interes të gjejmë skenarin më të mirë. Në këtë vapor jemi të gjithë dhe po u mbytëm, do mbytemi të gjithë. Paketa fiskale u bie fukarenjve dhe i lë oligarkët të livadhisin. Për mua kjo është e pandershme. Doni të garantoni të ardhurat? Keni hapësira pa fund. Të mos fshihemi pas gishtit. E fundit ka të bëjë me shqetësimin që ka ngritur Shehi disa herë për çështjen e pensioneve. Prej gati 10 vitesh kemi pasur rritje me pikatore të pensioneve. Kemi qenë vendi me nivelin më të lartë të pagave në rajon. Sot kemi nivelin më të ulët në Europë.

Edhe gjendja ekonomike ku vazhdojmë të jemi, ka të bëjë me disa politika. Rritjet preferenciale nuk vlejnë. Ne po nuk patëm një program që në harkun e 4 deri 6 viteve të dyfishojmë pagat dhe pensionet të të gjithë piramidës, nuk shkojmë gjëkundi. Ky nivel më kujton periudhën e monizmit që njerëzit thonin, ne bëjmë sikur punojmë, ju bëni sikur na paguani. Përhapja kaq e madhe e ryshfetit është e lidhur me nivelin e pagave dhe pensioneve. Nëse duam të eliminojmë këtë korrupsion, duhet të përqendrohemi te pagat dhe pensionet. Në Kosovë niveli është dukshëm më i lartë se në Shqipëri.

Edmond Spaho: Për replikë se më zure në gojë edhe emrin

Eduart Shalsi: Një sekond se po i thoja zonjës Denaj se do i jap fjalën zotit Spaho

Edmond Spaho: Duhet t’u përgjigjem juve për atë që thatë

Eduart Shalsi: Të sqarohemi të biem dakord

Edmond Spaho: U sqarova pra, fole 5 minuta

Dashamir Shehi: Tani ky po na jep leksion neve?

Eduart Shalsi: Po mirë mo ça zakoni e keni këtë. Ju flisni nga vendi për mikrofon. Çfarë zakoni e keni këtë. Flisni këtu dhe thoni po na jep leksione ky. E di që shumë prej jush e kanë shumë problem që tjetri u duket sikur po u jep leksione. Nëse nuk jemi mësuar të dëgjoni dhe keni ardhur vetëm për të folur. Duam debat cilësor thotë dhe sa e merr fjalën. Unë kam të drejtë të them atë që dua unë të them. Për fjalën time jam përgjegjës unë zoti Shehi. Kujt i intereson ju pëlqen juve apo jo. E di që shumë prej jush e kanë shumë problem kur vetë duan të flasim të japë mendimet, tjetri u duket sikur po u jep leksione.

Edmond Spaho: Përpiqu ta ngresh nivelin e ndërhyrjes. Këtu ke njerëz që kanë mbajtur funksione shumë të rëndësishme. Nuk keni të drejtë ju sa herë që flasim ne të ndërhyni dhe të jepni këshilla. Ju jeni kryetar i komisionit dhe keni të drejtë të flisni po aq sa ne. T’ju dëgjojmë ju sa herë flasim ne të na jepni këshilla, kjo nuk është normale. Çfarë kujtoni se jeni më të kualifikuar se unë?! Unë nuk flas me demagogji prandaj iu referova tre katër fushave. Ke më pak para se sivjet. Referova efektet negative që do sjellë kjo gjendje në bujqësi.

Në korrik do takohemi prapë këtu edhe me ministren edhe me ju. Nëse jemi mirë hajde të vëmë rregullin fiskal. Pse takson gazin ti? Pse heq TVSH nga 6% për prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Ia fut të gjithë atyre bujqërve. Jo vetëm që janë rritur çmimet për inputet por ka rënë edhe cilësia. Se shkojnë blejnë pleh dhe marrin zhavorr. 10 vjet as inflacionin nuk kemi indeksuar. Shumë mirë që janë rritur pagat e arsimtarëve, ushtarakëve dhe policëve. Prej shumë vitesh kemi bërë hapa prapa në drejtim të pagave dhe pensioneve. Duhet t’i heqim nga disa burime të tjera dhe t’i kalojmë te pagat dhe pensionet. Pas 8 vitesh në pushtet fillon katër vite të tjera dhe thua nuk kemi sisteme.

Edurart Shalsi: Këtu keni minutazhin me fakte se sa pak janë ndërhyrjet e mia. E dyta, ajo që kam është se nëse unë mendoj zoti Shehi nuk kujdesem nëse ju pëlqejnë ju apo dikujt tjetër. Mua më lind e drejta të them mendimet e mia. Reagimin e kam shumë më pak emocional se ju. Unë them 5 gjëra ju shpërtheni nga vendi. Dhe nuk është çështja, duhet të respektojmë njëri tjetrin. Unë po flisja more fjalën, edhe ju edhe zoti Spaho, i pickuat, reaguat, vendosët disa epitete.

Blerina Gjylameti: Pse duhet të vazhdojmë ende me komentet dhe mendimet e secilit. Se çfarë titulli mbaj se çfarë kapaciteti kam unë, a kam qenë drejtoreshë apo nuk kam qenë, jam po aq përfaqësuese sa dikush tjetër. Këto komentet nuk i shkojnë fare këtij komisioni dhe aq më pak njerëzve që kanë një barrë eksperience në vite. Secili prej nesh është Zot i mendimeve. Komentet personave për karrierë t’ia lëmë atyre që na votojnë. Këtu jam ndoshta më e reja, ka dhe shumë më të rinj se mua që unë i dëgjoj me shumë vëmendje. Qasja juaj shumë demokratike në drejtim nuk u shërben disa njerëzve. Përmendja e etikës që duhet të ketë çdo deputet ndoshta na bën mirë të kuptojmë që duhet të jemi korrekt. Besoj se është e tepërt sot të vazhdojmë ende të bëjmë diskutim që i kemi pasur me kohë të palimituar.

m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!