“Po luftojmë si Kosova kundër Serbisë”, Vulin acarohet me Klitschko: Nuk e njeh historinë

schedule18:44 - 26 Maj, 2022

schedule 18:44 - 26 Maj, 2022

Ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Kievit, Vitali Klitschko, i cili, siç raportoi gazeta shqiptare në Zvicër, Le Canton 27.ch, tha se do të çlirohen nga Rusia siç u çlirua Kosova nga Serbia.

Vulin pretendon se Klitschko s’e njeh historinë. Duke reaguar ndaj deklaratave të Klitschkos se “ukrainasit po luftojnë kundër okupatorit rus, ashtu siç luftonin shqiptarët kundër okupatorit serb”, Vulin tha në një deklaratë me shkrim se ai që e krahason Donbasin dhe Kosovën “duhet të jetë i gatshëm t’i shkojë deri në fund krahasimit”.

“Nëse Klitschko pretendon se shqiptarët u pushtuan dhe se e hoqën Serbinë dhe okupatorin serb me rebelim të armatosur, atëherë edhe rusët në Donbas janë të okupuar dhe kanë të drejtë ta heqin qafe okupatorin ukrainas”, tha Vulin.

Sipas tij, atë që Klitschko ua njeh shqiptarëve, do të duhet t’ua njohë edhe rusëve në Ukrainë, raporton gazeta serbe, Danas.

“Serbia e ka dëshmuar se respekton të drejtën ndërkombëtare, është gjynah që të tjerët nuk mund ta thonë të njëjtën gjë për veten e tyre”, tha ministri i MUP-it serb.

Të mërkurën, kryetari i Kyivit, Vitali Klitschko, mori pjesë në kuadër të Forumit Ekonomik që u mbajt në Davos të Zvicrës.

Raportohet se nga atje, ai u shpreh falënderues ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

“Më vjen shumë mirë që takoj për herë të parë një gazetar shqiptar, një rast i mirë për t’ju përcjellur një mesazh juve, popullit shqiptar në ballkan. Kemi dëgjuar e lexuar se edhe ju shqiptarët si ne ukrainasit jeni njerëz të paqës, liridashës, por edhe luftarak që e do nevoja, që na e imponon ndokush. Ne sot po luftojmë kundër regjimit rus që po tenton të okupoj vendin tonë-Ukrainën që mëse 100 ditë, sikur ju që ishi dikur të okupuar nga Serbia…”, citohet të ketë thënë Klitschko. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!