“Tre policët u rrëmbyen brenda kufirit, ishin duke ngrënë”, Albin Kurti: I gatshëm të shkoj në Bruksel

schedule16:00 - 20 Qershor, 2023

schedule 16:00 - 20 Qershor, 2023

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje shtesë në lidhje me rrëmbimin e tre efektivëve të Policisë nga forcat serbe. Ai tha se ambasadori Jetish Jashari, i ka vizituar sot tre efektivët, të cilët i kanë shpjeguar se si ka ndodhur ngjarja.

Sipas kryeministrit, tre efektivët kanë qenë duke konsumuar drekë kur janë sulmuar nga 15 persona të armatosur. Shefi i qeverisë theksoi se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe kjo është e faktuar.

“Rrëmbimi është zhvilluar me plan me njerëz të armatosur. Nuk bëhet fjalë për arrestime në Serbi, por bëhet fjalë për rrëmbim brenda Kosovës. Ambasadori Jetish Jashari i ka vizituar policët, ndarazi, njëri pas tjetrit,dhe përshkrimi i tyre se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata kanë qenë tek tryeza e improvizuar për ngrënie. Kjo do thotë pra kanë qenë duke ngrëne drekë. Kanë qenë 15 persona kur i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata që dëshirojnë të jenë skeptikë”, tha ai.

Në këto rrethana, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar të dënojë aktin e Serbisë dhe t’i kërkojnë menjëherë lirimin e ushtarëve të Kosovës.

“Kërkojmë lirmin e menjëhershëm, pa kushte dhe të pacenuar, kërkojmë nga faktori ndërkombëtar, SHBA, BE dhe NATO që ta dënojë agresionin e Serbisë”, tha ai.

Kurti ka thënë se është i interesuar që të shkojë në Bruksel, në takimin që e ka përmendur Borrelli. “Unë jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel, që të paraqes hollësisht këto të dhëna, dhe ta kuptojnë që ulja e tensioneve nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre policëve dhe dënimin e agresionit te Serbisë në Kosovë, ndërsa normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes bazike”. / n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!