UEFA vendosi të shtyjë dy ndeshje të Europa League. Inter-Getafe dhe Sevilla-Roma nuk do të luhen nesër, teksa nuk është përcaktuar akoma se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Situata në të dy shtetet është komplikuar shumë prej koronavirusit.
Në lidhje me situatën e krijuar ka folur drejtori i përgjithshëm i Getafe. Clemente Villaverde pranon vendimin dhe zbulon një prej skenarëve që po diskutohet në qeverinë europiane të futbollit. Jo më dy ndeshje për të mësuar skuadrën që kualifikohet, por një përballje e vetme në një fushë neutrale.
“UEFA na lajmëroi për shtyrjen e ndeshjes së nesërme kundër Interit. I falënderojmë për mbështetjen e dhënë dhe, duke marrë parasysh situatën e krijuar nga koronavirusi, e pranojmë vendimin për shtyrjen e ndeshjes. Ka mundësi që Inter-Getafe të luhet në një ndeshje të vetme në një fushë neutrale. Kjo është një nga opsionet që po diskutohen, por do të pranojmë çdo vendim të UEFA-s“, deklaron drejtuesi i klubit spanjoll. /abcnews.al