Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikojnë ashpër presidentin e Republikës Srpska, Milorad Dodik. Përmes një postimi në Twitter, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, ka akuzuar Dodik se me veprimet e fundit ai po minon Marrëveshjen e Dejtonit.
“Nënshkrimi i një ligji nga presidenti i Republikës Srpska, Dodik që refuzon autoritetin e Përfaqësuesit të Lartë shkel kushtetutën e Bosnje dhe Hercegovinës dhe minon Marrëveshjen e Dejtonit. SHBA-ja mbështet zyrën e përfaqësuesit të lartë dhe sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të saj”, tha Blinken.
Të premten, Dodik, presidenti i entitetit të mbizotëruar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë, nënshkroi një ligj që e lejojnë atë të shpërfillë vendimet e marra nga i dërguari ndërkombëtar i vendit.
Ky veprim vjen disa ditë pasi i dërguari ndërkombëtar i Bosnjës, Christian Shmet, anuloi disa vendime të diskutueshme që kundërshtojnë një marrëveshje paqeje që i dha fund luftës. Dodik është kritikuar shpesh nga Perëndimi.
Sipas marrëveshjes së Dejtonit, që u nënshkrua në vitin 1995, i dërguari ndërkombëtar ka fuqinë të imponojë ligje si interpretuesi përfundimtar i kushtetutës së shtetit, megjithëse vendimet e tij mund të shqyrtohen dhe vihen në dyshim nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, nëse Zyra e Përfaqësuesit të Lartë, ia miraton./abcnews.al