Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Rivolta d’Adda, ku një shqiptar humbi jetën dhe u plagosën dy të tjerë. Sipas mediave italiane, 3 shqiptarët po përpiqeshin t’i largoheshin policisë me një makinë BMW të vjedhur. Gjatë ndjekjes me shpejtësi të lartë, makina e tyre humbi kontrollin dhe doli nga rruga duke u përmbysur disa herë në fushë.
Njëri prej shqiptarëve humbi jetën menjëherë. Ai është një 31-vjeçar me inicialet A.K. Ndërsa dy shqiptarët e tjerë u plagosën në gjendje të rëndë dhe u dërguan në spital. Në automjetin e tyre u gjetën disa para dhe bizhuteri. Policia thotë se ata po arratiseshin pasi kishin kryer grabitje të banesave në atë zonë. /tvklan.al