PLUSET DHE MINUSET/ Tirana e Partizani në “skanerin” e Gallos, Canajt dhe Rizës

schedule10:40 - 4 Dhjetor, 2020

schedule 10:40 - 4 Dhjetor, 2020

Derbi i kryeqytetit ishte tema kryesore në emisionin “Pressing”ABC mbrëmjen e djeshme. Alpin Gallo, Florian Riza dhe Agim Canaj ndanë mendimet e tyre në studio. I pari deklaroi: “Te Tirana pika e dobët janë mungesat, dëmtimet, ndryshimet në formacion. Kjo tregon edhe që trajneri ende nuk është stabilizuar. Te Partizani duhet të vlerësoj Koten dhe Bardhin, po gëzojnë formë të mirë dhe po i japin gjallëri lojës së “demave”.

Janë shumë teknikë dhe kanë vizion. Ata kanë një formacion që po e përdorin çdo ndeshje dhe kanë një klimë njohje, siguri dhe besim në mënyrën e interpretimin e lojës.  Solomon ka ardhur në formë të mirë. Duke mos pasur presion Daja ua jep më të mirën. Vjet ndoshta kanë pasur presionin e rivalitetit dhe mund të jenë frenuar. Gjithashtu kemi edhe Malën, i cili ka gjetur formën dhe çdo gjë po shkon më së miri. Dua, për shumë gjëra, që të fitojë Tiranë, që kampionati të bëhet më i bukur dhe të ketë rivalitet. Me ata kam fituar shumë, por kam një peng që nuk kam fituar trofe me Partizanin”.

FLORIAN RIZA – Ish-sulmuesi i Tiranës u shpreh kështu: “Për mua pikë më e fortë është Muçi, pika më e dobët ai që është sipër Muçit. (nënkupton Sasrakun, por nuk e konfirmon kur i citohet nga moderatori Gerti Çarçani). Episodet krijohen nga shumë gjëra, edhe nga arbitri, nga ndonjë gabim, apo niveli i lojtarëve. Pjesa më e madhe e këtyre ndeshjeve vendosen nga episodet.

Një ekip i trajnuar nga Daja ka një fizionomi. Ata kanë luajtur për disa kohë bashke dhe e ka pasur më të lehtë. Lojtarët e njohin mirë lojën e njëri-tjetrit. Portierin e kanë prej vitesh dhe është një garanci. Ka edhe Partizani ka mungesa, si Trashi e Telushi që kanë ikur. Të mos harrojmë edhe Çinarin. Te Partizani mendoj se pikë e fortë është portieri Alban Hoxha”.

AGIM CANAJ – Në fund foli edhe trajneri vlonjat: “Partizani ka një mënyrë loje, Tirana ua ka studiuar lojën. Ata mund të ndryshojnë dhe befasojnë. Partizani është i frikshëm në sulm. U rikthye Asani, Mala që është në formë të mirë, Bardhi është kthyer në pozicionin e vet pas sulmuesit. Ishte sulmues i parë dhe nuk ka dhënë maksimum. Solomon ka ndryshuar pozicion dhe Partizani po qarkullon mirë në lojë në sulm. Gjithashtu janë të frikshëm në goditje standarde, pasi kanë lojtarë të gjatë. Shumë gola vijnë prej tyre dhe vetë partizani ka shënuar”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!