Plumba këmbëve, misteri i plagosjes pas 4 vrasjeve, dëshmia dhe pista, blindohet Vlora

schedule22:43 - 26 Maj, 2021

schedule 22:43 - 26 Maj, 2021

Vlora nuk gjen qetësi dhe sa më shumë shkojmë drejt verës aq më tepër nxehet situata në jug të vendit.

Pas 4 vrasjeve në 4 muaj e fundit, 2 prej të cilave në maj, e fundit javën e kaluar, mbrëmjen e sotme Ergys Likaj u qëllua disa herë me plumba në pjesën e këmbëve duke mbetur i plagosur.

Vlonjati u paraqit vetë në spital rreth orës 19:55 dhe deklaroi se “u vetëplagosa aksidentalisht”.

Dyshimet bënë që spitali të njoftonte policinë. Hetuesit nisur nga konstatimi, por edhe dëshmitë kontradiktore përjashtuan pistën aksidentale duke nisur hetimet për plagosje, por për rrethanat thanë që “janë ende të paqarta“.

Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur në lungomare, por ende nuk dihet vendi saktësisht dhe nëse ishte në ambient të hapur apo të mbyllur, ku nuk përjashtohet që të ketë pasur një sherr në lokal që më pas ka agravuar në përdorimin e armëve.

Por i plagosuri ka heshtur deri tani duke mos e treguar autorin. ABC mëson nga burime pranë grupit hetimor se Likaj është pa precedent penal, ndërsa në të dyja këmbët është qëlluar me pistoletë.

Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!