Me të gjithë lojtarët e gatshëm në dispozicion dhe me ritëm më të lartë, kombëtarja e Shqipërisë vijoi përgatitjet për sfidën vendimtare kundër Serbisë në kualifikueset e “Botërorit 2026”.
Ndryshe nga dita e parë e grumbullimit, ku Silvinjo duhet t’I bente llogaritë me disa mungesa për shkak të orareve të udhëtimeve, por edhe me lajmet e këqia për mungesat e Ardian Ismajlit dhe Adrion Pajaziti, tekniku kuqezi punoi me të gjithë futbollistët në seancën e dytë stërvitore.
Pas palestrës, i gjithë grupi I lojtarëve u bashkua në fushë për të ndjekur programin stërvitore të stafit teknik të kombëtares.
Seanca u përqëndrua mbi skemat taktike dhe situata të ndryshme të lojës.
Po ashtu, ndryshe nga seanca e parë, ku futbollistët vinin pas impenjimeve me skuadrat e klubeve dhe disa prej tyre u stërvitën të diferencuar, pasditen e së martës ngarkesa fizike është rritur ndjeshëm.
Kombëtarja do të vijojë përgatitjet në Tiranë deri të enjten, ndërsa Silvinjo do kristalizojë idetë e tij mbi formën e futbollistëve dhe formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë në sfidën e 11 tetorit kundër Serbisë.
Sipas agjendës, skuadra kuqezi do të udhëtojë drejt Leskovacit paraditen e së premtes. Në orët e pasdites do të zhvillojë seancën e fundit në stadiumin “Duboçica”, ndërsa Sylvinjo do të dalë në konferencën zyrtare për mediat përpara ndeshjes.



