Huliganë, rrëmujaxhi dhe shumë epitete mund t’u vendosen grupimeve ultras, por në një nga momentet më të vështira të Shqipërisë, ata kanë treguar shpirtin e tyre solidar dhe janë vënë në shërbim të bashkatdhetarëve të tyre.
Mbështetje ka pasur madje edhe nga Greqia, ndaj as që vihej në dyshim që nga Maqedonia e Veriut dhe Dardania grupimet ultras të viheshin në mbështetje të shqiptarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndihma të ndryshme erdhën në ditët më të vështirë, ndërkohë që Plisat nuk ndalen sërish.
Ata kanë qenë në Durrës, aty ku shpesh herë kanë kaluar pushimet dhe netët e paharrueshme para ndeshjeve të kombëtares. Plisat, edhe njëherë tregojnë atdhedashurinë e tyre. Dashuria e tyre nuk është vetëm për Prishtinën, por edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, e njëjtë dhe pa kushte.
PLISAT NË DURRËS: Sapo përfunduam shpërndarjen e dhuratave në Durrës! Sot filluam shpërndarjen e dhuratave të aksionit “Ndihmo edhe ti”. Ndryshe nga herët tjera , sot vizita jonë në Durrës ka pasur një qëllim tjetër. Kemi vizituar Shkollën 9 vjeçare “Naim Babameto”, në Durrës. Ndryshe nga shkollat tjera, kjo shkollë nuk ka pasur fuqinë t’i përballojë tërmetit të pamëshirshëm të datës 26/11/2019.
Në shkollën e ulët 9 vjeçare “Naim Babameto”, kemi shpërndarë dhurata për nxënësit e klasave të ulëta(1 deri 5) gjithsej për 507 nxënës të kësaj shkolle. Dhuratat i kemi shpërndarë në gjimnazin “Leonik Tomeo”, shkruajnë ultrasit e Prishtinës, që u kanë dhuruar një ditë të bukur bashkatdhetarëve të tyre në Durrës. Aksioni sapo ka filluar! /abcnews.al