Autoritetet britanike të medies dhe mbrojtjes së të dhënave u kanë kërkuar kompanive të mëdha të teknologjisë të forcojnë kontrollet e moshës për përdoruesit nën 13 vjeç në rrjetet sociale, sipas BBC.
Rregullatorët “Ofcom”dhe “Information Commissioner’s Office “(ICO) i janë drejtuar platformave si Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok, YouTube, Roblox dhe X, duke kërkuar masa më të forta për të parandaluar që fëmijët e vegjël të krijojnë llogari në këto shërbime.
Sipas drejtueses së “Ofcom”, Dame Melanie Dawes, shumë platforma aktualisht nuk e vendosin sigurinë e fëmijëve në qendër të produkteve të tyre. Aktualisht shumica e shërbimeve mbështeten te deklarimi i vetë përdoruesit për moshën, një metodë që sipas rregullatorëve mund të anashkalohet lehtësisht nga fëmijët.
Studimet e “Ofcom” tregojnë se rreth 86% e fëmijëve të moshës 10-12 vjeç kanë një profil në rrjetet sociale, pavarësisht se shumica e platformave vendosin moshën minimale 13 vjeç.
Rregullatorët kërkojnë që kompanitë të përdorin verifikime më efektive të moshës, të ngjashme me ato që përdoren për shërbimet me përmbajtje për të rritur.
Kompanitë e teknologjisë kanë mbrojtur masat ekzistuese.
Meta, që zotëron Facebook dhe Instagram, tha se përdor inteligjencën artificiale dhe teknologji për vlerësimin e moshës përmes fytyrës, ndërsa TikTok deklaroi se ka fshirë mbi 90 milionë llogari të dyshuara të fëmijëve nën 13 vjeç gjatë një viti.


