Platforma me të cilën Kosova do të dialogojë me Serbinë i është dorëzuar të premten kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ky dokument është i bazuar tërësisht në Kushtetutën e Kosovës dhe ruan integritetin territorial të saj.
Udhëheqësit e ekipit negociator të Kosovës kanë dorëzuar në Kuvend platformën për dialogun. Kreu i parlamentit, Kadri Veseli tha se dokumenti nënkupton integritet dhe sovranitet të plotë.
Platforma u tha se bazohet komplet në Kushtetutë, ku përveç integritetit territorial përmendet edhe çështja e aseteve të cilat janë në territorin e Kosovës. Në platformë thuhet se të gjitha këto asete janë ekskluzivisht të saj dhe rrjedhimisht nuk janë të hapura për negocim.
Platformën e miratuar nga ekipi negociator pritet ta shqyrtojnë dhe miratojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, siç u tha në një afat sa më të shpejtë. Sipas tyre, fjalën përfundimtare për marrëveshjen finale me Serbinë do ta kenë qytetarët e Kosovës. Me këtë platformë pala kosovare do të dialogojë me Serbinë në Bruksel, dialog ky i cili aktualisht është stopuar për shkak të taksës. Kryeparlamentari Veseli edhe sot ka përsëritur se pezullimi i taksës mban afër Kosovës Amerikën dhe BE-në, ndërsa kryeministri Haradinaj këmbëngul të mos e heqë taksën pa njohjen e Kosovës nga Serbia./abcnews.al