Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur nga Gjirokastra për lëvizjet e radhës në strukturat e institucionit që ai drejton. Ai tha se sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme Plarent Ndreca është lëvizur nga posti, duke mohuar zërat për dorëheqje të tij.
Pyetur nga gazetarët nëse kjo lëvizje ka lidhje me tenderat e uniformave, ai u shpreh se nuk ezkiston një gjë e tillë.
“Së pari, nuk ka një dorëheqje të Sekretarit të Përgjithshëm, ka një lëvizje të Sekretarit të Përgjithshëm në një detyrë tjetër. Ju e dini që administrata publike funksionon si e tërë dhe në kuadër të menaxhimit të kësaj administrate publike bëhen lëvizje, të cilat janë krejt të natyrshme në një strukturë të tillë.Histori me tenderat nuk ka.
Sekretari i Përgjithshëm nuk është marrë me tenderat, nuk merret me tenderat, se tenderat kanë një agjenci të specializuar, e cila i kryen ato dhe i nënshtrohen një procesi të veçantë auditimi, verifikimi, hetimi, kur kanë nevojë për t’u hetuar. Por dua t’ju them që gjithçka është në nivelet optimale.
Ministria e Brendshme është sot në ditën më të angazhuara të punës së saj për të menaxhuar rendin, sigurinë dhe fusha të tjera të përgjegjësisë”, tha Lleshaj./m.v. abcnews.al