“Plani për Botëror çdo dy vjet rrezikon traditën e çmuar”

schedule10:22 - 8 Shtator, 2021

schedule 10:22 - 8 Shtator, 2021

Gareth Southgate, shprehu frikën e tij të martën se Kampionati Botëror mund të humbasë nga shkëlqimi i tij nëse mbahet çdo dy vjet, duke paralajmëruar se garat e tjera do të duhen sakrifikuar për ta bërë këtë të mundshme.

Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, i cili tani është drejtor i zhvillimit në organin qeverisës botëror të futbollit, FIFA, ka bërë thirrje që gara e futbollit botëror të bëhet ngjarje dyvjeçare.

Southgate zbuloi pas fitores 4:0 të Anglisë në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022” kundër Andorrës, se ai kishte folur me francezin në lidhje me propozimet që i kishte bërë. Trajneri i Anglisë është i prirë për një rishikim të kalendarit të futbollit, me lojtarët që mund të lodhen nga kërkesat në rritje të klubeve dhe ndeshjet ndërkombëtare.

Por, Southgate është i kujdesshëm në lidhje me formatin e një gare që është luajtur çdo katër vjet, përveç anulimit si rezultat i Luftës së Dytë Botërore, që nga edicioni inaugurues në vitin 1930.

“Unë mund të shoh që loja e futbollit gjithmonë duhet të zhvillohet dhe të jetë me mendime të mëtejshme që janë të shpejta, por gjithashtu ka disa tradita që janë shumë të veçanta dhe që vlen të mbrohen”, tha Southgate përpara ndeshjes kualifikuese të Botërorit të vitit të ardhshëm që Anglia e luan të mërkurën kundër Polonisë. “Është një vendim i mirëpritur për të diskutuar për kalendarin e përgjithshëm dhe që përfshin edhe kërkesat ndaj lojtarëve. Pra, duhet rishikuar mirë këtë çështje para se të merret një vendim i prerë. Ne nuk kemi nevojë të vendosim më shumë ndeshje në kalendar. Nëse diçka po hyn, diçka tjetër duhet të dalë. Të gjitha organet drejtuese duhet të mblidhen dhe të sigurohen që kalendari të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, paralajmëroi të hënën se mbajtja e Kampionatit Botëror çdo dy vjet do ta “zbehte” shumë turneun. Madje, ai shtoi se Botërori ka vlerë për shkak se mbahet çdo katër vjet.

“Ne mendojmë se xhevahiri i Kupës së Botës ka vlerë pikërisht për shkak të rrallësisë së tij. Por, mbajtja e tij çdo dy vjet, sipas mendimit tonë, do të çojë në më shumë rastësi, më pak legjitimitet dhe për fat të keq do të zbehë vetë Kupën e Botës. Kalendari ndërkombëtar i ndeshjeve nuk ka nevojë për këtë. Lojtarët tanë kanë nevojë për pushim dhe t’i kushtojnë vëmendje relaksimit e rimëkëmbjes, dhe jo të shpenzohen nëpër turne”, ishin fjalët e Çeferinit.

Plani i Wengerit për të kompensuar ngarkesën e shtuar të turneut mbi lojtarët do të përfshijë më pak ndeshje kualifikuese, të grumbulluara në një dritare ndërkombëtare gjatë sezonit dhe periudha pushimi të detyrueshme pas fazave përfundimtare të turneve të mëdhenj. Megjithatë, Southgate ka thënë se një gjë e tillë do të jetë e papërballueshme dhe tejet e vështirë për futbollistët.

“Ne duhet t’i mbrojmë futbollistët dhe jo t’i ngarkojmë ata me ndeshje brenda një viti. Ata duhet të kenë pushimin e tyre dhe të jenë të freskët për ndeshjet që i kanë, si me klubet, ashtu edhe me përfaqësueset”, ka shtuar Southgate. “Mendoj se ky plan duhet rivlerësuar edhe njëherë dhe nuk bën të aprovohet pa u menduar dhe diskutuar mirë”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!