Plani i prishjes së stadiumit, Sindikata: Do kujtohet si futbolli në kohën e poshtërsisë, bëni diçka

schedule11:16 - 6 Maj, 2020

schedule 11:16 - 6 Maj, 2020

Stadiumi i Kamzës rrezikon të shembet dhe të kthehet një parking nëntokësor dhe qendër rekreative për njerëzit, çka shuan përfundimisht një tjetër klub futbolli në vendin tonë, që vitet e fundit ka pasur vështirësi të mëdha dhe tanimë me gjasa as nuk do të ekzistojë më. Pa një stadium, e kotë që dikush të mundohet ta ringrejë Kamzën, që dy vite më parë ishte pjesë e elitës së futbollit shqiptar.

Lajmi për planin që Bashkia Kamzë ka për të prishur stadiumin ka sjellë edhe një reagim të Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, që kanë një mesazh për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për zëvendëskryeministrin Erion Braçe.

 

“Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë po ndjek me shqetësim lajmin e përcjellë̈ nga mediat sportive për prishjen e stadiumit të Kamzës. Në këto momente Sindikata është në krahun e opinionit sportiv dhe atij futbollistik të Kamzës, të cilët janë shprehur kundër prishjes së stadiumit, shtëpisë së futbollit në Kamëz.

Sot i kërkojmë FSHF që të jetë në krahun e futbollistëve dhe të bëjë të gjithë përpjekjet që qeveria ose bashkia Kamëz të anulojë këtë projekt tejet të dyshimtë. Sot i kërkojmë shumë miqësisht z.Bracce futbolldashës, që në cilësinë e zv.kryeministrit të vërë në punë të gjithë mekanizmat ligjit për të ndalur prishjen e stadiumit të Kamzës.

I nderuar z. Brace, ndaloni anëtarët e familjes tuaj politike që kërkojnë të prishin stadiumin e Kamzës. Këto persona po veprojnë kundër programit politik të partisë tuaj, që promovon sportin duke shtuar orët mësimore në shkolla.

 

Këto persona po veprojnë në mënyrë të kundërt me mënyrën si vepron qeveria juaj , e cila siç keni thënë edhe ju, ndërton stadiume dhe nuk i prish ato. Të nderuar zotërinj të Bashkisë së Kamzës, stadiumi i Kamzës është shtëpia e futbollit të Kamzës, në të cilën janë rritur me dhjetra breza futbollistësh.

Kjo shtëpi futbolli është shumë më e vjetër se shtëpitë e atyre që kanë marrë vendimin për prishjen e saj. Duke prishur stadiumin ju keni dënuar me “vdekje” futbollin e një komuniteti prej rreth 130 000 banorësh në Kamëz.

Futbolli në Shqipëri po kalon një moment shumë të vështirë̈, ku “zotat” e futbollit duhet të bëjnë më të mirën për futbollin, që kjo situatë të kujtohet nga komuniteti i futbollit si futbolli në periudhën e pandemisë dhe jo si futbolli në periudhën e poshtërsisë.

Besojmë se personat përgjegjës do t’i kthehen arsyes, duke anuluar vendimin për prishjen e stadiumit të Kamzës. Në përfundim duam të shprehim edhe një falënderim për mediat sportive të cilat bënë publike këtë rast, duke qenë në këtë mënyrë rojtare të së mirës publike”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!