Mes bujës që shoqëroi vizitën e presidentit amerikan Donald Trump në Lindjen e Mesme dhe armëpushimin mes Izraelit dhe lëvizjes islamike Hamas, një aspekt i fjalës së presidentit amerikan si ndërmjetës paqeje kaloi pothuajse pa vëmendje, sipas “The Guardian”.
Në skenën e pazakontë të “Knesetit”, parlamentit izraelit, Trump shtriu një “degë ulliri” drejt një kundërshtari edhe më të pabesueshëm: armikut historik të Izraelit, Iranit.
“Do të ishte mirë sikur të arrinim një marrëveshje paqeje me ta. A nuk do të ishte bukur?”, tha ai. “Mendoj se ata e duan këtë”.
Por, sipas Trump, çmimi për t’i dhënë fund gati gjysmë shekulli armiqësie mes Uashingtonit dhe Teheranit , që daton nga pushtimi i ambasadës amerikane (1979–1981) pas revolucionit iranian , do të ishte që regjimi teokratik të ndalonte financimin e grupeve militante si Hamas dhe Hezbollah dhe të “njohë më në fund të drejtën e Izraelit për të ekzistuar”.
Irani kishte refuzuar ftesën e Trump për të marrë pjesë në një takim në Sharm el-Sheik (në Egjipt), të thirrur për të festuar fundin e luftës në Gaza dhe për të shpallur një “epokë të re paqeje” në rajon.
Zyrtarët iranianë kujtuan me zemërim bombardimet amerikane në qershor ndaj objekteve bërthamore në ”Fordow”, “Isfahan “dhe “Natanz”, si dhe vrasjen e gjeneralit Qasem Soleimani në vitin 2020 gjatë presidencës së parë të Trump.
“Ndërsa favorizojmë diplomacinë, as presidenti [Masoud] Pezeshkian e as unë nuk mund të angazhohemi me liderë që kanë sulmuar popullin iranian dhe vazhdojnë të na kërcënojnë e sanksionojnë.”, shkroi ne rrjetet sociale ministri i Jashtëm iranian, Abbas Aragchi,
Kështu, manovra diplomatike e Trump duket se nuk do të ketë sukses së shpejti.
Në fakt, me dyshimet në Teheran në rritje pas sulmit izraelit mbi objektet bërthamore iraniane, në prag të raundit të gjashtë të negociatave për programin bërthamor – skenari më i mundshëm është, “rinisja e përplasjes ushtarake”.
“Duket sikur Trump po përpiqet të jetë diplomatik, por kjo rrugë është ndjekur më parë dhe përfundoi me luftën e qershorit. Nga këndvështrimi i Teheranit, nuk mund t’i besosh SHBA-ve apo Trumpit, është i paparashikueshëm. Rruga e vetme e sigurt për Iranin është forcimi i mbrojtjes dhe sigurimi i një arme bërthamore pa u goditur përsëri”, tha Nader Hashemi, eksperti i politikës së Lindjes së Mesme në Universitetin Georgetown.
Në qendër të pengesave për “trekëndëshin e paqes” mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit qëndron Ajatollahu Ali Khamenei, 86 vjeç, udhëheqësi suprem iranian, i cili që prej vitit 1989 ka kundërshtime ndaj SHBA-së dhe Izraelit , shtyllë të politikës së tij.
“Një ndryshim real është i mundur vetëm me një elitë tjetër drejtuese në Iran, jo me Khamenein dhe rrethin e tij në pushtet. Shanset për marrëveshje janë zero”, tha Abbas Milani, drejtor i studimeve iraniane në Universitetin Stanford.
Milani e krahasoi ftesën e Trump për Teheranin me “ftesën që i bëhet zjarrvënësit për të festuar fundin e zjarrit”, duke kujtuar se Irani ende mbështet Hamasin dhe kundërshton zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

