Nga Ajgena Korbi
Orë mësimore 30 minutëshe dhe nxënës të ndarë deri në 4 turne. Pas udhëzimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për Covid-19 ministria e Arsimit vendosi që më 14 shtator nxënësit të kthehen në shkollë, por me kushte të tjera.
Drejtori i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniveristar Gerti Janaqi tregoi për Abc News se drejtuesit do të kenë mundësi të organizojnë zhvillimin e mësimit në shkollën e tyre dhe plani i detajuar do tu bëhet i ditur prindërve.
“Pjesa dërrmuese e shkollave e realizojnë respektimin e protokolleve. Nxënësit dhe prindërit do të njoftohen nga drejtuesit për të zhvilluar mësimin balle përballë. Në zonat urbane si Tirana, Durrësi ose zonat e prekura nga tërmeti klasat duhet të ndahen për të respektuar distancën. Mund të ketë shkolla që kanë një turn, mund të kenë dhe 2 turne, sigurisht orët e mësimit do të jenë 30 minuta, ashtu si mund të ketë raste të rralla në shkolla të dëmtuara me numër të lartë nxënësish ku mund të kalohet me tre deri në 4 turne”, shprehet ai.
Zbatimi i masave anti-covid me ndarjen e klasave dhe rritjen e kushteve higjeno-sanitare sipas specialistëve kërkon mësues dhe fonde shtesë, por ende Ministria e Arsimit nuk ka përcaktuar numrin e arsimtarëve dhe buxhetin që nevojitet.
“Nga ngarkesa e shtuar një mësuesi i shtohet norma me rreth 7 orë në javë, zyrat arsimore me drejtoritë rajonale dhe atë të arsimit parauniveristar po bëjnë kalkulimet nëse do të ketë nevojë për mësues shtesë”, thekson ai.
Por nëse në një klasë zbulohet një nxënës apo një mësues I infektuar me koronavirus çfarë kanë parashikuar të ndodhë autoritetet shtetëore?
“Brenda shkollës ka koordinator për çështjen e Covid. Matet temperatura, nëse do të ketë raste referohen tek mjeku i shkollës, ai i familjes dhe kalon rasti në Institutin e Shëndetit Publik dhe strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, ashtu si do të ndodhte me një qytetar jashtë shkolle. Vendimet e izolimit janë vendime që merren nga Ministria e Shëndetësisë dhe Arsimit por skenarët e mundshëm kanë parashikuar dhe kombinim të mësimit dhe deri mbyllje të shkollave kur kemi krijim te vatrave të infeksionit”, deklaron ai.
Në varësi të situatës së epidemisë së koronavirusit në vend këto skenarë sipas Drejtorit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniveristar janë gati për tu zbatuar. Ndërkohë mësimi në klasë tregon Janaqi është planifikuar të alternohet dhe me atë nga televizori. /abcnews.al