Mbretëria e Bashkuar e cila është e mbyllur që nga ditët e para të janarit, prezantoi planin e saj për të rihapur njëherë e mirë të gjithë vendin. Programi mbështetet nga një fushatë vaksinimi që vijon me ritme të shpejta; deri tani janë dhënë 18 milion doza. Objektivi është dhënia e dozës së parë të gjithë të rriturve deri në 31 korrik, të paktën një muaj më parë se sa ishte parashikuar fillimisht.
Kryeministri britanik Johnson u shpreh se nuk i duhej besuar thjesht mbylljes dhe kufizimeve duke pezulluar jetën. Çdo ditë që kalon sipas tij, programi i vaksinimit por krijon një mburojë për të gjithë popullsinë. Kjo do të thotë se vendi ka nisur rrugën pa kthim drejt lirisë.
Plani i kryeministrit do të nisë me rihapjen e shkollave në 8 mars. Kufizimet e fundit do të hiqen në fund të muajit qershor. Nga 17 maji mund të rihapen stadiumet ku do të lejohen vetëm deri në 10 mijë tifozë.
Linja që po ndjek vendi është ajo e dhënies së dozës së parë të vaksinës sa më shumë njerëzve të jetë e mundur, duke mos i ruajtur dozat për të plotësuar vaksinimin me dy doza. Doza e dytë do të mund të jepet deri në 12 javë pas të parës dhe jo tre ose katër si në vendet e tjera. Ky vendim i këshilltarëve shkencorë të qeverisë britanike nuk mbështetet nga Pfizer, që deklaroi se nuk ka të dhëna që mbështesin këtë periudhë kohore prej 12 javësh.
Ndërkohë Sllovakia me pesë milion e gjysmë banorët e saj, një javë më parë shënonte 100 viktima në ditë për shkak të Covid: numri më i madh i viktimave në botë për 7 ditë në raport me popullsinë.
Për këtë arsye ministri i jashtëm sllovak i kërkoi të hënën, partnerëve të tij europianë, që të merrte me shpejt dozat e vaksinës./abcnews.al