Plani i javës në Superiore, Tiranës i rikthehen tifozët?

schedule16:02 - 16 Tetor, 2019

schedule 16:02 - 16 Tetor, 2019

Ka ndryshim orari për një nga ndeshjet më interesante të javës së tetë të Kategorisë Superiore. Tirana-Laçi do të zhvillohet prej orës 17:00 dhe jo në 14:00 siç ishte planifikuar në fillim. Me shumë mundësi kjo sfidë do të luhet me praninë e tifozëve. Nga klubi bardheblu ende nuk ka një komunikim zyrtar, por burime të ndryshme kanë pohuar se presidenti Halili po mendon ta shlyeje me gjobë gjysmën e dënimit të mbetur.

Sikurse dihet, Komisioni i Disiplinës e dënoi Tiranën me 2 ndeshje pa tifozë pas derbit. Gjysma e dënimit u shlye ndaj Shënkollit dhe klubit kryeqytetas i mjafton të derdhë në arkat e Federatës Shqiptare të Futbollit shumën prej pesë milionë lekësh dhe në “Selman Stërmasi” do të luhej me praninë e publikut.

NDESHJET E TJERA –  Java e tetë nis me përballjen Teuta-Flamurtari, që do të luhet në “Elbasan Arena”. Durrsakët kanë mbjellë fushën në stadiumin “Niko Dovana” dhe këtë fundjavë do të zhvendosen të luajnë në fushë asnjanëse. Ndeshjet e tjera zhvillohen të gjitha të shtunën dhe fillimisht në orën 14:00 luhet Luftëtari-Bylis.

Veç Tirana-Laçi, në 17:00 luhen edhe dy takime që janë për t’u parë. Në Shkodër duan të “hakmerren” ndaj Partizanit, pasi para dy vitesh e fajësuan për rënien në Kategorinë e Parë. Vllaznia është e motivuar edhe prej rezultateve të mira, ndaj edhe pritet një ndeshje mjaft e luftuar. Në Korçë Skënderbeu pret Kukësin. Verilindorët synojnë të bëjnë kthesën, pas humbjes me shkodranët në kampionat.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 8

E premte, më 18 tetor 2019
Ora 18:00 | Teuta-Flamurtari

E shtunë, më 19 tetor 2019
Ora 14:00 | Luftëtari-Bylis
Ora 17:00 | Tirana-Laçi
Ora 17:00 | Vllaznia-Partizani
Ora 17:00 | Skënderbeu-Kukësi

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!