Kastrioti luan sot në Shijak kundër Erzenit dhe një pikë i mjafton për të siguruar rikthimin në Superiore. Trajneri Ramadan Ndreu, për faqen e klubit krutan, ka folur për sfidën e radhës me shijakasit, për aktivizimin e të rinjve gjatë këtyre javëve të mbetura të kampionatit, sikurse edhe për skuadrën që do të ndërtojnë për të përballuar Superioren sezonin e ardhshëm.
NDESHJA – “Kuptohet, në këtë periudhë presim vetëm një pikë matematikisht për ta mbyllur kalimin në Superligë. Është pak e vështirë, duke pasur parasysh temperaturat e larta. Nuk është e lehtë t’i motivosh lojtarët në këtë situatë. Kjo javë ka shkuar shumë mirë dhe shkojmë në Shijak për të marrë tre pikët. Duhet të marrim pikët maksimale deri në ndeshjen e fundit, pasi kemi edhe një ndeshje finale me fituesin e grupit tjetër. Duhet ta fitojmë patjetër edhe atë, në mënyrë që ta kompletojmë këtë sezon më së miri”, shprehet trajneri krutan.
TË RINJTË – “Ndoshta që këtë ndeshje do të ketë hapësira për lojtarët e rinj, pasi duhet të krijojmë ide të qarta edhe për ta. Ndoshta ndeshjet e mbetura janë pikërisht për një pjesë të tyre, pasi nuk e kanë atë presionin e madh të rezultatit. Këto katër ndeshje, do të na japin mundësinë që tek një pjesë e tyre të shohim diçka që nuk e kemi pasur mundësinë për ta parë më përpara”, shton Ndreu.
SEZONI I ARDHSHËM – “Meqë pikët na japin mundësi që të jemi të qetë, kemi filluar të mendojmë edhe për vitin tjetër. Normalisht, do ketë lojtarë që do vijnë e do ikin. Drejtuesit po punojnë për këtë pjesë. Ata vendosin. Kemi filluar që të shohim, të kontaktojmë me lojtarë që e kanë nivelin e Superiores, kuptohet, që të jem i sinqertë.
Në vitin që vjen, skuadra do të funksionojë në përgjithësi me këto që jemi dhe me element të tjerë të rinj, kuptohet me nivel, sepse futbolli është vrapim, futbolli kërkon energji, jo se këto lojtarë që kemi nuk i kanë. Do të ndërthuret shumë mirë, elementi i ri, dhe baza do të jenë të rinjtë që të garantojnë skuadrën jo vetëm për një vit, por edhe për të ardhmen”, përfundon Ndreu. /abcnews.al

