Presidenti Donald Trump ka ashpërsuar tonet pas zërave se elita politike në Shtetet e Bashkuara po thur një plan për rrëzimin e tij nga pushteti. I irrituar, Trump e ka cilësuar episodin një përpjekje ilegale për grusht shteti ndaj presidentit amerikan.
Presidenti Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj një interviste televizive ku thuhej se zyrtarë të lartë amerikanë kishin diskutuar për shkarkimin e tij. Trump i është referuar intervistës së dhënë ditën e diel nga ish-shefi në detyrë i FBI-së, Endriu Mek Kejb, i cili tha se bisedimet ishin zhvilluar në vitin 2017 dhe të pranishmit i ishin referuar thirrjes së një klauzole kushtetuese që shkarkon presidentin për paaftësi.
Duke ironizuar me besueshmërinë e Mek Kejb, Trump e ka cilësuar episodin një akt tradhtie. “Kjo është tradhti. Është një përpjekje ilegale për grusht shteti”, ka thënë Trump në profilin e tij në Tëitter. Duke reaguar, kryetari i komisionit gjyqësor të Senatit amerikan, Lindsi Graham ka deklaruar se deklarata e ish-zyrtarit do të hetohet dhe e ka cilësuar atë një “përpjekje burokratike për grusht shteti”.
Në intervistën e dhënë, Mek Kejb tha se në takimin e zhvilluar dy vjet më parë kishte qenë i pranishëm edhe zëvendës prokurori i përgjithshëm Rod Rozenshtejn, si dhe anëtarë të kabinetit të Trump që mendonin se ai duhej shkarkuar përmes amendamentit të 25-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Por në serinë e postimeve në Tëitter, Trump ka kritikuar ashpër gënjeshtrat të treguara sipas tij nga një ish-zyrtar gënjeshtar. “Ka shum gjëra që u duhen shpjeguar miliona qytetarëve amerikane që zgjodhën një president që e pëlqenin dhe që ka bërë për ta një punë të shkëlqyer me ushtrinë, ekonominë dhe fusha të tjera”, ka thënë Trump. Sipas tij, ky episod është një akt politik tradhtar dhe ilegal në çdo aspekt. Lidhur me intervistën ka reaguar edhe Shtëpia e Bardhë që ka deklaruar se deklaratat e Mek Kejb nuk kanë besueshmëri. Ndërsa Departamenti i Drejtësisë ka thënë se informacionet e ish-shefit të FBI-së ishin të pasakta./abcnews.al