Ministri i Brendshëm, Taulant Balla theksoi se ka nisur zbatimi i planit kombëtar “Safe Stay in Albania” për të garantuar një sezon turistik. I pranishëm në konferencën “Rrugë të sigurta, turizëm i sigurtë”, ministri tha:
“Ne presim të kemi rritje krahasimisht me vitin historik të 2023 deri në 40 përqind të vizitorëve të huaj. Ministria e Brendshme përmes policisë së shtetit, shërbimit zjarrfikës dhe shëptimit i ndërlidhur me këtë shërbim në të gjitha bashkitë e vendit. Kemi filluar zbatimin e planit kombëtar “Safe Stay in Albania” për të garantuar nje sezon të sigurt për çdo pushues, për të rikonfirmuar edhe këtë vit certifikimin tonë si destinacion turistik me siguri mbresëlënëse. Pozicioni gjeografik i ka bërë rrugët tona jo vetëm rrugë kombëtare por pothuajse të gjithë korridoret janë evropiane dhe kjo është një sfidë tjetër e shtuar sa i përket rritjes së flukseve të shfrytëzimit të rrugëve shqiptare.”, u shpreh Balla.
Ai theksoi gjithashtu se janë gati 6 stacionet shtesë të policisë për sezonin turistik. Më tej, ai bëri të ditur se po punohet për të lehtësuar procedurat e kalimit të pikave kufitare me Kosovën.
“Si ministër, marr shpesh ankesa nga publiku për gjobat por mund të konfirmoj sot se në të gjitha rastet e verifikuara rezulton se ka ekzistuar shkelja. Ka nevojë për ndërgjegjësim të madh të drejstuesve të mjeteve se nuk ka asnjë shans më që nuk të shohin apo të ndjekin me radarë, apo fotografojnë. Nuk jemi gati, do të kisha dashur që të ishim gati me projektin Smart City por jam shumë krenar që falë mbështetjes së kryeministrit dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, në të gjithë qytetet kryesore, do të kemi shpresoj vitin e ardhshëm edhe pjesën që lidhet me sigurinë publike dhe mbrojtjen e jetës private, monitorimin e trafikut përmes një sistemi gjithpërfshirjes, zgjidhjes teknologjike dhe AI që na mundëson kalimin në një nivel tjetër të sigurisë publike. Të vijmë edhe me zgjidhje inteligjente. Për t’u kthyer te ajo që na ka mbledhur sot, si siguria rrugore, dua të informoj se kemi adresuar shqetësimin që lind shpesh, që ka të bëjë me radhët e gjata në pikat kufitare, ka filluar zbatimi i protokollit për lehtësimin e procedurave në Morinë-Kukës, dhe besoj se javën tjetër do të lehtësojmë lehtësimin e kalimit edhe në pika të tjera të kalimit kufitar me Kosovën për të mundësuar kalim të lirshëm të kufirit për të gjithë turistët qofshin shqiptarë të Kosovës apo të Shqipërisë që duan të shkojnë në Kosovë. Tanimë kemi gati 6 stacionet shtesë të policisë së shtetit në zonat me fluks të shtuar turistik, Theth, Valbonë etj.“, shtoi Balla./abcnews.al