SHKODËR- 24 vjeçari Isak Mehmedaj ditën e djeshme ka inskenuar plagosjen e tij. Sot policia ka zbardhur ngjarjen ku thotë se i riu u plagos aksidentalisht me armë zjarri por deklaroi se e kishin plagosur disa persona të panjohur.
24-vjeçari kur shkoi në spitalin e Shkodrës për ndihmë mjekësore, tha se e kishin plagosur me armë në fshatin Mushan, Shkodër, disa persona të paidentifikuar. Nga hetimet ka rezultuar se Mehmedaj është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark.
I riu ka inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale. Në pranga ka rënë edhe 20-vjeçari Gledos Mlloja i cili e ndihmoi të fshehë dhe të tjetërsojë të vërtetën.
“Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 9 tetor 2021, ku në spitalin rajonal shkodër u paraqit për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri 24 vjeçari, I.M, i cili deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Mushan, Shkodër, nga disa persona të paidentifikuara, nga hetimet e thelluara rezultoi se: Shtetasi I.M., është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut per jetën. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale“, thotë policia.
Isak është arrestuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme./be.k//Abcnews.al