Policia ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së 46-vjeçarit Admir Bejo.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme (13 gusht) në lagjen “1 Maji” në Kuçovë.
Abc mëson se autor i dyshuar i ngjarjes është 36-vjeçari E.R.
Abc ka zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes.
Fillimisht dyshohej se shkak i plagosjes ishte larja e hesapeve.
Kjo pasi në vitin 2007, Admir Bejo së bashku me vëllanë Ilija Bejon, kanë tentuar që të vrasin 2 vëllezërit Ardian Kundja dhe Saimir Kundja.
Ngjarja ndodhi rreth orës 8:00 te mëngjesit më 26 dhjetor 2007, teksa dy vëllezërit Kundja ishin duke dalë nga hyrja e pallatit në të cilin jetonin.
Pas të shtënave, dy autorët që menduan se i lanë të vdekur shënjestrat e tyre, u larguan me shpejtësi nga vendngjarja, me një automjet tip “Ford Fiesta” me targa TR 79 88 N.
Por, nga këqyrja e kamerave të sigurisë ka rezultuar se plagosja ka ardhur si pasojë e një konflikti të çastit të Admir Bejos me një banor tjetër të lagjes “1 Maji”, që banonte shumë pranë banesës së tij, pikërisht 200 metër nga vendi ku Bejo u gjet i shtrirë në rrugë.
Burimet policore konfirmojnë se konflikti mes Bejos dhe autorit ka ndodhur në banesën e këtij të fundit, ku pasi kanë debatuar me njëri-tjetrin komshiu i tij ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 2 herë mbi 46-vjeçarin Admir Bejo.
Bejo ka ikur me vrap për të dalë nga banesa e autorit dhe në dalje është qëlluar edhe dy herë të tjera po plumbat nuk e kanë zënë.
Pasi ka ecur disa metra Bejo ka rënë në tokë, ku edhe është gjetur i shtrirë nga një kalimtar që ka njoftuar policinë./Abcnews.al/