Një person është arrestuar nga policia në Shkodër për plagosjen pasditen e djeshme me armë zjarri që ndodhi në vendin e quajtur “Prek Cali”. I arrestuari është 36-vjeçari Zef Larushi banues në Shkodër.
Por përse u arrestua 36-vjeçari? Sipas policisë, ngjarja që erdhi pas konfliktit të dy shokëve pasditen e djeshme në qytetin verilindor nuk u mbyll vetëm me plagosjen e Tonin Larushkut nga fshati Toplanë, Vau i Dejës.
Zef Larushi, kushëri me Tonin Larushkun, pas ngjarjes ku ky i fundit mbeti i plagosur qëlloi me armë gjahu, në drejtim të mjetit të autorit, Luverdo Kola që gjendej i parkuar në rrugicën para banesës, raporton abcnews.al.
Si pasojë e të shtënave në shenjë hakmarrje pasi iu qëllua kushëriri, është lënduar aksidentalisht lehtë nga një saçme 33-vjeçari Bruno Doko banues në Shkodër, i cili pas mjekimit të marrë në spitalin rajonal Shkodër është larguar në banesë. Pra objektivi i hakmarrjes ka qenë Kola, por saçmja kapi Dokon.
Policia ka sekuestruar armën e gjahut, të cilën e kishte me lejen përkatëse. Ndërkohë që vijon puna për kapjen e autorit Luverdo Kolës, 29 vjeç banues në Shkodër. Ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur arsyet që çuan në plagosjen me armë zjarri/ abcnews.al.

