Gazetari Simon Shkreli ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin e mbrëmjes së të martës, ku mbetën të plagosur Gjon Nika dhe kunati i tij polic Gjergj Ndërshtiqa. Në fillim dyshohej se objektiv ka qenë Nika por policia po heton edhe pistën se shënjestër mund të ketë qenë Gjergj Ndërshtiqa.
Gazetari theksoi gjithashtu se në policinë e Shkodrës janë shoqëruar 20 persona ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur 100 gëzhoja. Në makinën e djegur që është gjetur pranë vendit të ngjarjes në fshatin Grudë e Re, janë gjetur dy kallashnikovë në sediljet e para dhe një tjetër në bagazh.
“Gjatë vitit të kaluar Gjergj Ndërshtiqa ka punuar efektiv në zonën e Dukagjinit dhe dyshohet që mund të ketë lidhje me problemet e ndryshme me aksionet e kanabisit dhe arrestimet dhe sekuestrimet në luftën ndaj shkatërrimit të parcelave. Kjo është pista tjetër fillimisht u tha që shënjestra ka qenë Gjon Nika, që nuk përjashtohet si pistë por që dy të plagusurit kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me asnjë person. Ai ka pasur edhe armën e shërbimit me vete por s’e ka përdorur. Sipas dëshmisë, mësohet se dy personat kanë qenë të maskuar. Hetimi po vijon, janë shoqëuar në polici gjatë natës rreth 20 persona që mund të kenë dijeni në lidhje me ngjarjen por deri më tani nuk kemi asnjë të akuzuar.“, raportoi gazetari./abcnews.al