Plagosja e dyfishtë në “Don Bosko”/ Vocaj: Brenda automjetit të djegur u gjet një armë, targat nuk rezultojnë të vjedhura

schedule16:22 - 3 Shtator, 2024

schedule 16:22 - 3 Shtator, 2024

Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezi dhe Ronaldo Metushi.

Vocaj konfirmoi se makina që është gjetur e djegur është përdorur nga autorët e ngjarjes, duke shtuar se targat nuk rezultojnë të vjedhura por numri i shasisë nuk përputhet me automjetin.

Sipas tij, brenda automjetit të djegur është gjetur edhe një armë zjarri.

“Jemi duke kontrolluar në të gjithë zonën për kamerat e sigurisë në biznese dhe ato publike. Në territorin e komisariati nr. 5 është gjetur një automjet i djegur, që ka përputhshmëri me atë të përdorur nga autorët, janë identifikuar targat që nuk janë të vjedhura, por numri i shasisë nuk përputhet me automjetin origjinal. Vazhdojnë hetimet për këtë çështje, janë sekuestruar 7 gëzhoja nga një armë zjarri. S’e kemi përcaktuar akoma tipin e kësaj arme. Në automjet është gjetur një armë zjarri që po ekzaminohet.”, u shpreh Vocaj./abcnews.al