Plagosi policin në krye të detyrës, arrestohet autori 42 vjeçar

schedule20:02 - 21 Shtator, 2023

schedule 20:02 - 21 Shtator, 2023

Policia vë në pranga Klered Bozhanaj, autorin e plagosjes me armë zjarri të policit Edlir Alleshi mbrëmjen e mërkurës në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar pistoleta e përdorur gjatë krimit. Gazetarja Xhensila Kodra raporton se 42 vjeçari është kapur në momentin që ka shkuar në banesën e tij.

Fillimisht ka pasur rezistencë duke debatuar me punonjësit e policisë që kanë mbajtur nën vëzhgim banesën, por më pas është arrestuar. Përveç pistoletës me vete i është gjetur edhe kanabis, për të cilin ka thënë se e ka për përdorim vetjak. Ndërsa kur është pyetur për plagosjen nuk ka dhënë dëshmi.

“Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e DVP Tiranë, për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, shtetasit Klered Bozhanaj, 42 vjeç, i cili ka tentuar të vrasë me armë zjarri punonjësin e Policisë, inspektor Edlir Alleshi, ju informojmë se: Gjatë kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Klered Bozhanaj, strukturat e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar autorin e dyshuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë, e përdorur gjatë krimit.”, njofton policia.

Efektivi mbeti i plagosur pasi Bozhani qëlloi drejt patrullës së forcave “Shqiponja” teksa po ndiqej se po qarkullonte me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në lagjen “Kinostudio” në rrugën “Hysen Xhura”. Policia vendosi një shpërblim prej 20 000 eurosh për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në kapjen e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!