Pjesëmarrje e ulët në votime/ 11.73 përqind në Preshevë, 27.5 përqind votojnë në Bujanovc

schedule17:21 - 17 Dhjetor, 2023

schedule 17:21 - 17 Dhjetor, 2023

Pjesëmarrja në votime në Luginën e Preshevës për zgjedhjet e Serbisë vijon e ulët. Deri në orën 17:00, vetëm 11.73 përqind e shqiptarëve kanë ushtruar të drejtën e votës në Preshevë ndërsa në Bujanovc 27.5 përqind teksa Serbia mban zgjedhjet parlamentare dhe ato të pjesshme lokale.

Kujtim Sadriu, vëzhgues zgjedhor në fshatin Konçul të Bujanovcit, theksoi për gazetaren Linda Karadaku një problematikë, për të cilën tha se do t’i drejtohet prokurorisë. Ai tregoi se si përfaqësues të Shaip Kamberit po mbushnin listat me emrat e familjarëve të tyre.

“Si vëzhgues në qendrën e fshatit Konçul deri në orën 12 procesi ka vijuar normalisht, më pas ka filluar një padrejtësi, ku kanë plotësuar emrat e disa familjarëve pa kërkesën e tyre, diku 30 persona. Kam paraqitur pakënaqësi tek kryetari, kanë ardhur 4 anëtarë dhe kur iu kam thënë se çfarë padrejtësie ka, disa qytetarë pjesëmarrës kërcënuan se do të na nxjerrin me dru dhe u detyruam të lëshojmë vendvotimin. Nesër do të bëj fletëparaqitje në prokurori për keqpërdorim dhe besoj se do të marrin masat. Ishin të listës së Shaip Kamberit. Kanë shkuar në Beograd me manipulime dhe asnjëherë me vullnetin e popullit”, theksoi ai.

Ai tha gjithashtu se qytetarë të Luginës së Preshevës, që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, janë zgjedhur në mënyrë selektive për të shkuar dhe votuar.

“Janë të LVV se kryetari i Gjilanit ka mobilizuar në mënyrë selektive qytetarët e Luginës. Respektoj çdo qytetar që është nga Presheva që vijnë për të dhënë votën por ka qenë në mënyrë selektive, mbështetje dhe përçarja e LVV që është futur këtu për të na përçarë në masë të madhe“, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!