TIRANË- Sondazhisti i njohur Eduard Zaloshnja, i ftuar në ABC News, ka analizuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme vendore, duke theksuar se në bashkitë e Beratit dhe Vlorës vihet re një përqindje e lartë e mospjesëmarrjes.
Ai shtoi gjithashtu se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve që ndodhen jashtë vendit nuk kanë mundësi të votojnë në këto zgjedhje.
Braktisja e votimeve shtoi Zaloshnja vjen edhe për faktin se opozita nuk ka përçuar asnjë mesazh shprese të votuesit.
“Berati dhe Vlora kanë një përqindje të lartë të mospjesëmarrës. Ata kanë një përqendrim më të madh në zonën urban. Tradicionalisht zonat urbane, kur ka zgjedhje lokale, kanë pjesëmarrje të ulët dhe aq më tepër kur gara parashikohet të jetë e vulosur ende pa filluar.
Ata që janë në emigracion nuk votojnë dot në këto zgjedhje. Këta janë zgjedhës që banojnë në Berat dhe nuk shkojnë të votojnë, me aq sa po shoh, në përfundim të ditës kur të ndahet torta elektorale del që gjysma janë në emigracion dhe nuk votojnë, ndërsa te gjysma tjetër, çereku do votojnë dhe çereku nuk do votojnë.
Të paktën kjo duket nga ecuria e deritanishme. Aty ku ka dhe e ndjejnë njerëzit se mund të këtë ndryshim, pjesëmarrja rritet shpejt. Nuk shkojnë, sepse nuk kanë mesazh”, tha ai./abcnews.al

