TIRANË- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, bëri të ditur se gjatë zgjedhjeve në pesë bashki, pjesëmarrja e votuesve ishte 18.45%, ndërsa për herë të parë u testua përdorimi i Inteligjencës Artificiale (AI) në procesin e numërimit dhe vlerësimit të votave.
Celibashi sqaroi se testi i bërë në Bashkinë e Tepelenës nuk kishte për qëllim të zëvendësonte numërimin manual, i cili përcaktohet nga Kodi Zgjedhor, por synonte të verifikonte mundësitë që teknologjia mund të ofrojë në të ardhmen për zgjedhjet në Shqipëri.
Sipas tij, Inteligjenca Artificiale analizoi në kohë reale pamjet filmike të procesit të numërimit manual dhe prodhoi rezultate që përputheshin pothuajse plotësisht me ato të numërimit fizik, me një saktësi “pothuajse 100%”.
Kryetari i KQZ-së shtoi se përdorimi i teknologjisë së avancuar mund të rrisë transparencën dhe efikasitetin e procesit zgjedhor në të ardhmen.
“Pjesëmarrja në pesë bashki ishte 18.45 %. Ne testuam Inteligjencën Artificiale në numërimin dhe vlerësimin e votave. Kjo mënyrë nuk kishte për qëllim të zëvendësonte mënyrën manuale, që e përcakton Kodi Zgjedhor, përdorimi i Inteligjencës Artificiale ishte test teknik, që për ne, KQZ, do dëshironim të shihnim përdorimin e saj në të ardhmen në votim. Testi i kryer dje ishte i suksesshëm dhe përmbushi të gjitha pritshmëritë e KQZ.
Pamjet filmike të përftuara nga vlerësimi me dorë u lexuan dhe u analizuan në kohë reale nga programi kompjuterik që bazohet në AI. Analiza e këtyre pamjeve prodhoi pothuajse 100% të pamjeve të rezultatit, që dolën nga numërimi fizik.
Pamjet e faqes ballore të fletës, u lexuan me saktësi të plotë nëpërmjet sistemit të Inteligjencës Artificiale. U konstatuan vetëm disa pasaktësi në leximin e pjesës së pasme të fletës së votimit. Vlerësojmë që në të ardhmen arritja e saktësisë do të varet nga ndërtimi i disa protokolleve teknike, që do të duhet të respektohen nga numëruesit dhe komisionerët.
Së pari, e qartë se duhet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor që rezultatet nëpërmjet teknologjie të konsiderohen ligjërisht zyrtare”, tha ai/abcnews.al

