Pjesë e një organizate kriminale, arrestohet 41-vjeçari, pritet ekstradimi në Itali

schedule08:55 - 17 Tetor, 2024

schedule 08:55 - 17 Tetor, 2024

Një 41-vjeçar është arrestuar gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 20”.  41-vjeçari Armand Mera ishte në kërkim nga autoritetet italiane.

Ky shtetas akuzohet nga Gjykata e Firences, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të narkotikëve dhe për vjedhje dhe dhunë.

“Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale organizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 20”, gjatë të cilit u kap në fshatin Gjormë, Laç, dhe u vu në pranga me qëllim ekstradimin, shtetasi Armand Mera 41 vjeç, banues në fshatin Gjormë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Firences i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Vjedhja me dhunë”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.

/abcnews.al/