Pjesë e grupit të Gëzim Çelës, burg për kryepolicin e Kurbinit

schedule15:11 - 10 Tetor, 2023

schedule 15:11 - 10 Tetor, 2023

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e arrestit në burg për shefin e komisariatit të Kurbinit, Dritan Metajn i arrestuar si pjesë e grupit të Gëzim Çelës.

Në seancën me dyer të mbyllura, Metaj ka deklaruar se ka njohje me Gëzim Çelën prej disa kohësh, raporton gazetari i ABC News, Ermal Vija.

Ai ka pranuar takimet me Çelën dhe është shprehur se ka bërë gabim që është takuar, por nuk mund ta shmangte dot për shkak të njohjes së vjetër.

Shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, u arrestua një ditë më parë me kërkesë të SPAK. Ai  rezulton të ketë pasur rol të rëndësishëm në grupin kriminal të trafikut të drogës në Fushë Kuqe.

Burime për ABC News konfirmojnë se Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminal, mes tyre edhe baronin e drogës Gëzim Çelaj, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për t’i lëvizur pa i kontrolluar dhe dyshuar askush tek ata.

Gazetarja Xhensila Kodra raporton se veprimtaria kriminale është arritur të dokumentohet me prova të pakundërshtueshme nga SPAK, përmes një numri të lartë të celularëve të sekuestruar në operacionin “Flakë në Det” të organizuar në muajin gusht, mes të cilit janë gjetur biseda të shumta të Metajt me Gëzim Çelajn dhe 2 të tjerët të shpallur në kërkim.

Megjithatë, me urdhër të SPAK, janë kryer përgjime të tjera në javët e fundit, të cilat kanë dhënë prova mbështetëse për dokumentimin e veprimtarisë kriminale.

VENDIMI

Dritan Metaj

Gjykata, në seancë gjyqësore të zhvilluar në prani të palëve në proces, pasi dëgjoi kërkimet dhe pretendimet e tyre, mori dhe vlerësoi aktet e depozituara prej tyre:

Gjykata, në bazë të neneve 228, 229, 230, 232, 238, 244, 246 e 248 të Kodit të Procedures Penale, kjo gjykatë, pasi formoi bindjen dhe në mbështetje të provave të shqyrtuara në këtë gjykim:

• Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

• Vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin nr. 110 datë 08.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Dritan Metaj si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

• Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.

• Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, brënda afatit ligjor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!