Pjesë e diskutimit edhe “Ballkani i Hapur”, Rama zbardh takimin me Escobar

schedule20:22 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 20:22 - 9 Dhjetor, 2021

Kryeministri Edi Rama ka komentuar takimin me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në një postim në rrjetet sociale kreu i qeverisë e ka cilëusar shumë miqësor takimin. Rama zbulon se me zyrtarin e lartë amerikan diskutuan partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë. Temë e bisedës ka qenë gjithashtu edhe “Ballkani i Hapur”, që sipas Ramës administrata e Joe Biden e mbështet fuqishëm.

Lexo edhe: Ambasada e SHBA zbardh porositë e Escobar në Tiranë: Fokusi tek lufta kundër korrupsionit

“Kënaqësi të mikprisja Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një takim shumë miqësor, ku folëm për partneritetin e shkëlqyer mes Shqipërisë e SHBA, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë dhe Ballkanin e Hapur, si një nisëm transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e Presidentit Joe Biden e mbështet fuqimisht”, shkruan Rama.

Gabriel Escobar ndodhet sot në Tiranë, në vizitën e tij të parë në Shqipëri. Fillimisht zyrtari amerikan u takua me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, më pas me ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe në fund kreun e qeverisë.

Escobar vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!