Pjesa 3/ Polici: Si e hoqën skafin e Tahirit nga Porti i Durrësit pas publikimit të fotos në parlament

schedule11:13 - 15 Maj, 2018

schedule 11:13 - 15 Maj, 2018

Në dosjen hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Saimir Tahirin, përmendet edhe fakti që skafi i përdorur nga ish-ministri i Brendshëm u bë arenë debati në parlamentin shqiptar.

Punonjësi i policisë, Naim Brahimaj sëbashku me Moisi Habilajn dhe Aurel Konakçiun shkuan në Itali për të dërguar skafin e prishur që të rregullohej. Kjo gjë nuk ndodhi dhe u detyruan ta merrnin skafin në Shqipëri dhe e lanë në Portin e Durrësit. Më pas, mjeti lundrues u zhvendos prej andej nga persona të panjohur, pas një fotografie të publikuar në parlament.

Pjesë nga dëshmia në prokurori e policit Naim Brahimaj

“Qëndruan disa ditë në Brindizi dhe tek skafi shkuan disa persona, të cilët morën përsipër rregullimin e tij. Gjatë ditëve të qëndrimit atje, shpenzimet u paguan nga Moisiu. U kthye së bashku me Aurelin me traget në Durrës, ndërsa Moisiu ishte larguar një ditë më parë.

Disa ditë pas kthimit, Aureli e mori në telefon dhe e njoftoi se duhej të shkonin në Itali për të marrë skafin, i cili nuk ishte rregulluar. Shkuan me traget nga Durrësi në Bari dhe më pas në Brindizi me tren. Të nesërmen morën skafin dhe u kthyen në Durrës. E nxorën skafin në tokë dhe e lanë atë pasi ishte i prishur. Shpenzimet e udhëtimit nuk arriti të mësojë se nga kush u paguan. Skafi qëndroi në tokë për disa kohë dhe disa herë shkoi dhe e pastroi, madje fjeti aty. Pasi në një seancë parlamentare u paraqit një foto e një skafi si i Saimirit, disa persona shkuan dhe e hoqën atë që aty. Fillimisht skafi u bllokua nga policia në momentin e daljes nga porti, por më pas aty u paraqit pronari i mjetit me dokumentacionin dhe ai u la i lirë. Mësoi që skafi qëndroi tek Hotel Royal në autostradë.

Fakti i deklaruar sa më sipër për shkuarjen në Itali, konfirmohet nga e dhëna e përfituar nga Sistemi TIMS, sipas së cilës, në datë 08.09.2014, shtetasit Naim Brahimaj dhe Aurel Konakçiu, rezultojnë me dalje sëbashku me Moisi Habilaj jashtë territorit shqiptar me linjën e udhëtimit Dalmacia. Në funksion të provueshmërisë së deklarimeve të shtetasit Naim Brahimaj, për skafin e përdorur nga i hetuari Saimir Tahiri, në datë 27 Prill 2018 në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Emigracionin Vlorë, u kqyr dhe u mor në cilësinë e provës dokument libri i “regjistrimit të mjeteve të peshkimit që dalin në gjueti 2014″ i Portit Triport, duke u dokumentuar veprimi i kryer në procesverbal ‘për kqyerjen dhe marrjen e provës dokumentare’. Në përfundim të kqyrjes, nuk rezultoi të kishte shënime hyrje-dalje për mjetin lundrues Auras (më parë dokumenti rezulton i sekuestruar me procesverbal përkatës në datë 20.04.2018 dhe veprimi rezulton i vleftësuar nga prokurori)”. /tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!