Me qytetin e pushtuar nga papastërtitë, Bashkia e Parisit ndodhet nën një ortek kritikash nga politika dhe shoqëria civile. Por veç kësaj, një shpenzim marramendës per një raport mbi situatën, ka rënduar pozitat e këtij institucioni.
Pisllëku masiv, me mbeturina rrugëve, minj që kanë pushtuar rrugicat, por dhe makina të vjetra e të prishura të parkuara gjithandej, kanë ndezur polemikat mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore në Paris. Ka qenë një raport, i hartuar pas një monitorimi të rreptë të situatës në kryeqytetin francez, që ka bërë që për bashkinë pariziene të bien këmbanat e alarmit. Raporti i sugjeron bashkisë që t’i kushtojë më shumë vëmendje higjenës publike, me operacione efikase pastrimi dhe një menaxhim më të mirë të burimeve financiare. Sa u takon kritikave, raporti “fshikullon” bashkinë për reduktimin e ndjeshëm të personelit dhe mjeteve të pastrimit, motiv për të cilin institucioni është kritikuar në masë edhe nga aktorë të tjerë, politikë e publikë. Ndërkohë, vërshimi i minjve në rrugët e kryeqytetit i atribuohet rritjes së nivelit të Senës, që i ka “dëbuar” ata nga brigjet e lumit duke i çuar në zonat urbane. Por raporti, i kryer me kërkesë të vetë bashkisë, ka shkaktuar edhe një polemikë që ka rënduar pozitat e saj. Shpenzimin e 224 mijë eurove për realizimin e tij./abcnews.al