Andrea Pirlo mbetet një nga mesfushorët më të mirë të futbollit italian dhe atij botëror. Ish-kampioni i botës me Italinë në vitin 2006 ka dhënë një prononcim për Radio Radio. E ardhmja do të jetë në pankinë dhe Pirlo tregon se nga kush frymëzohet.
Italia ka një brez fantastik. Sandro Tonalli i Brescias dhe Nicolo Zaniolo i Romës janë ndër më të talentuarit dhe Pirlo i cilëson si e ardhmja e kombëtares së kaltër. Elozhet për Conten nuk mungojnë, teksa prononcimi përfundon me një koment për “Topin e Artë”.
TRAJNERI PIRLO – “Kam pasur fatin të punoj me trajnerë të mëdhenj në karrierën time. Do të përpiqem të marr pak nga të gjithë: qetësinë e Ancelottit, grintën e Contes dhe pak nga të tjerët. Do përpiqem t’i bashkoj të gjithë bashkë për t’u bërë trajneri perfekt”.
CONTE – “Antonio ka një varësi të frikshme me taktikën. Është një gjeni, të thuash se ai trajner ka vetëm grintë është shumë pak”.
PASARDHËSI – “Shoh te Tonalli diçka nga personaliteti im, por jo në mënyrën e të luajturit. Ai luan me një qetësi të madhe, nuk ka frikë të luajë topin apo të gabojë. Më pas janë edhe ato flokët e tij të gjata… Tonalli dhe Zaniolo kanë një të ardhme të madhe përpara. Nicolo ka një forcë të madhe fizike, Sandro është më shumë mesfushor. Ata janë e ardhmja e Italisë”.
KOMBËTARJA – “Mancini e ka nisur shumë mirë rrugëtimin me kombëtaren. Ka pasur guximin për të aktivizuar lojtarët e rinj, të cilët janë të aftë. Italia arriti një kualifikim të bukur për në Evropian, teksa kanë ende mundësi për t’u përmirësuar. Mendoj se ekipi është në rrugën e duhur”.
TOPI I ARTË – “Nuk ka qenë kurrë një objektivi i imi, sepse mendoja më shumë të fitoja trofe me skuadrën. Jam renditur në pesëshen e parë për disa vjet dhe diçka e tillë ka mjaftuar për të më lumturuar”. /abcnews.al