Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit dhe strukturat e tjera vendore, finalizoi operacionin e koduar “XUEX”, i zhvilluar në disa qytete të vendit, për goditjen e një skeme të dyshuar piramidale me mashtrime financiare përmes platformave online dhe përdorimit të kriptomonedhave.
Pas një hetimi disa mujor, u ushtruan 83 kontrolle në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh. Gjatë hetimit u arrestuan 6 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Sipas hetimeve, skema mashtruese funksiononte përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve si Telegram, ku qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë nëpërmjet investimeve në kriptomonedha si USDT dhe TRON. Pjesëmarrësit udhëzoheshin të rekrutonin persona të tjerë për të përfituar më shumë.
Gjatë operacionit u sekuestruan 50 celularë, 11 kompjuterë, para në valutë të ndryshme (4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga), një automjet dhe pajisje elektronike. U ngrinë gjithashtu gjashtë llogari të kriptomonedhave të dyshuara si kanale për aktivitetin kriminal.
Policia i bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve të tilla dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar në numrin 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe anonim.
Njoftimi i policisë:
Ky operacion u zhvillua në shkallë të gjerë, me kontrolle personash dhe banesash në disa qytete dhe u finalizua me arrestimin e 6 shtetasve dhe shpalljen në kërkim të 2 të tjerëve. Fillimisht po ja kaloj fjalën Drejtoreshë Ervinës dhe më pas do bëj me dije rezultatet e finalizmit të operacionit.
Nga ana e strukturave të specializuara të Polcisië së Shtetit, nisur nga shqetësimet e ngritura nga qytetarët për mashtrime online me pretendimin e investimeve duke përfituar, por në të vërtetë ishin skema piramidale duke mashtuar qytetarët dhe përfituar paratë e tyre të investuara në këto skema piramidale, menjëherë filloi puna për investigimin, sigurimin e informacionit dhe goditjen e tyre, krahas kësaj nga Policia e Shtetit u njoftuan qytetarët që të mos kryenin asnjë veprim në të tilla skema pridamidale.
Në vijim të punës voluminoze, hetimore dhe profesionale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u bë finalizimi i operacionit policor të koduar “XUEX”,, operacion i cili u zhvillua nga Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.
Ky operacion është rezultat i një hetimi disa mujor i mbështetur mbi informacione të verifikuara dhe punë të specializuar hetimore, që synonte goditjen e një skeme të dyshuar mashtruese piramidale, e cila funksiononte online përmes formave moderne të mashtrimit financiar dhe përdorimit të kriptomonedhave. Operacioni u shtri në qytetet Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh dhe u ushtruan gjithsej 83 kontrolle persoansh dhe banesash.
Hetimi ka dokumentuar aktivitetin e një rrjeti individësh që vepronin si agjentë kryesorë, duke promovuar platforma të rreme investimi nëpërmjet të cilave qytetarëve u premtohej fitim i shpejtë dhe i sigurt. Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram. Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.
Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor – përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.
Falë përdorimit të teknologjive të avancuara të analizës së zinxhirit të bllokut (blockchain) dhe metodave speciale hetimore, u bë e mundur identifikimi i disa prej aktorëve kyç që operonin në terren, të cilët kanë shërbyer si hallka lidhëse mes qytetarëve dhe organizatorëve të skemës. Organizatorët e vërtetë të kësaj skeme vijojnë të jenë objekt hetimi, dhe Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqesor Fier, po ndjek të gjitha gjurmët për të zbardhur tërësisht strukturën e këtij rrjeti dhe për të vendosur para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.
Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për ndërgjegjësimin e qytetarëve: mos besoni në “investime të sigurta” që premtojnë fitim të menjëhershëm. Mos lejoni që emocionet, dëshira për përfitim të shpejtë apo presioni nga persona të njohur t’ju shtyjë të bëheni pjesë e strukturave të tilla. Ato nuk janë mundësi investimi – janë mashtrime të strukturuara, të sofistikuara dhe të rrezikshme, ku në fund gjithmonë humbin më të pambrojturit.
Policia e Shtetit do të vazhdojë punën me përkushtim për të goditur çdo formë të krimit kibernetik dhe ekonomik, dhe njëkohësisht fton qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të denoncojnë çdo rast të dyshuar përmes strukturave tona ose platformave zyrtare të komunikimit. Faleminderit dhe tani Drejtori i qarkut do bëjë me dije rezultate e operacionit në qarkun Fier.
Sic bëra me dije në fillim të konferencës, për finalizimin e operacionit te koduar “XUEX”, u angazhuan të gjitha strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku në zbatim të vendimit të Gjykatës Fier, u ushtruan 83 kontrolle personash, banesash dhe subjektesh lidhur me një skemë të dyshuar investimesh piramidale, nëpërmjet platformave online.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit: A. Ç., 38 vjeç, E. T., 21 vjeç, F. M., 23 vjeç, të tre banues në Lushnjë, M. K. 28 vjeç, banues në Tiranë, B. T., 38 vjeçe dhe B.N., 38 vjeçe, të dyja banuese në Divjakë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”.
Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit E. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh. 29 vjeçe, të dy banues në Divjakë, të dyshuar për veprat penale “Skemat mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim Kompjuterik”.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas kanë vepruar si agjentë kyç të kësaj skeme mashtruese.
Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën 5 persona të tjerë në system, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara. Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për të përfituar fonde përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet më të larta fitonin, ndërsa shumica sidomos pjesa fundore e piramidës humbnin kursimet e tyre.
Po gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
50 aparate celularë,
11 njësi kompjuterike,
1 DVR, 2 hardisk,
1 automjet,
4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga.
Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.
Duke përfituar nga rasti dua të siguroj qytetarët e qarkut Fier se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier janë të angazhuara maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe për garantimin e sigurisë së nxënësve në shkolla.
Në këtë kuadër ftoj të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin 112 duke ju garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e professional nga ana e strukturave të policisë.


