Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero tha se parashikon që situata e infektimeve në vend, të vazhdojë në këto nivele edhe gjatë gjysmës së parë të muajit shtator.
“Është e vështirë të bëjmë parashikime. Unë besoj që deri nga fundi i gjysmës së parë të Shtatorit situata do të jetë pak a shumë e njëjtë dhe mandej të shikojmë. Them kështu sepse ekspozimi vijon të jetë i lartë qoftë për shkak të pushimeve dhe mosrespektimit të protokolleve” u shpreh Pipero në një intervistë në TV Klan.
I pyetur lidhur me nivelet e vdekshmërisë në Shqipëri, mjeku tha se ato janë të krahasueshme me vendet e tjera, por pranoi se vdekshmëria në repartet e terapisë intensive është më e lartë tek ne, krahasuar me vendet e tjera.
“Vdekshmëria në Shqipëri, në spitalet tona është e krahasueshme edhe me vendet e tjera. Natyrisht nëse i referohemi vdekshmërisë në repartet e terapisë intensive tek ne është më e lartë, por kjo është një situatë që duhet analizuar në kohën e duhur. Sa i përket vdekshmërisë në spitale nuk më rezulton që të jetë me lartë se në vendet e tjera”, tha Pipero.
Lidhur me aplikimin e trajtimit më plazmë në Shqipëri, Pipero u shpreh optimist, megjithatë tha se mrekulli me trajtimet Covid sot nuk ka në asnjë vend të botës.
“Duhet të jemi të qartë që mrekulli me skemat e mjekimit me Covid-19 nuk ka sot në asnjë vend të botës, por përdorimi i plazmës ka dhënë rezultate mjaft optimiste dhe po merr përdorim të gjerë në të gjitha vendet. Ndihmon pacientët. Plazma jep një shans për të mbijetuar pacientët”, tha Pipero.